Në emisionin e sotëm të The voice of Italy hipën në skenë 19-vjeçarja shqiptare. Edhe televota juaj mund ta ndihmojë për të shkuar përpara.
Romë, 2 maj 2013 – Elhaida Dani, 19-vjeçarja nga Shkodra që po konkurron në The voice of Italy, sot ngjitet në skenë për përformancën e saj live.
Deri tani ka kaluar me sukses fazat e para të konkurrimit dhe ka marrë vlerësimet më të larta nga 4 anëtarët e jurisë dhe duartrokitje tëë zjarrta nga publiku.
“Forcë e natyrës”, “Uragan”, “Fantastike”, e quajtën Raffaella Carrà, Piero Pelù, Noemi e Riccardo Cocciante kur e dëgjuan për herë të parë, ndërsa dy javë më parë kur fitoi ndaj Francesca Bellenis-it, e konsideruan fituesen e “një dueli mes titanësh”.
Natën e sotme do të hipin në skenë 4 konkurrues të grupit të çdo anëtari të jurisë, e nga këta do të vazhdojnë rrugën e tyre drejt titullit vetëm 2. E ftuara speciale e mbrëmjes do të jetë Gianna Nanini.
Ndryshe nga emisionet e shkuara, këtë radhë edhe telespektatorët do të mund të çojnë përpara konkurrentin që kanë më për zemër përmes televotës.
Që rrugëtimi i Elhaidës në grupin e Cocciantes drejt titullit të vazhdojë, sot kjo varet edhe prej jush. Për Elhaidën nuk mund të votohet gjatë gjithë kohëzgjatjes së programit, por vetëm ndërsa performojnë konkurrentët e grupit të Cocciantes, ku bën pjesë edhe ajo. Praktikisht, votohet nga çasti kur nis të këndojë i pari nga konkurrentët e Cocciantes deri kur përfundon performanca e të fundit të grupit. Mund të jepen maksimumi 5 vota nga celulari (me sms në numrin 47222) dhe po aq vota nga rrjeti fiks (duke telefonuar në 894424).
Duke uruar që Elhaida të kapërcejë me sukses edhe sfidën e sotme, kujtojmë që emisioni i sotëm nis në 21.05 në RAI2.
Ke. Bi.
Performancat e deritanishme të Elhaidës në The voice of Italy: