Agron Dervishi, 36 vjeç, është vrarë me armë në fshatin Mazrek të Tiranës. Dervishi që sapo kishte ardhur nga Italia për të festuar festat e fundvitit, është gjetur pa jetë në timonin e një makine Benz me targa italiane CY 325 SZ, pasditen e 2 janarit.
Sipas burimeve policore, ai është goditur me plumb në kokë, ndoshta në datën 1 janar. Trupi i viktimës është dërguar në morg për autopsinë përmes të cilës duhet përcaktuar fillimisht lloji i armës, me të cilën është qëlluar. Policia, që po heton për zbardhjen e ngjarjes, nuk përjashton që vrasja mund të ketë pasur si shkak larje hesapesh.