Kryetares së Kuvendit popullor, Jozefina Topallit iu akordua “Mediterraneo Award 2010”
28 korrik 2010 – Çmimi mesdhetar 2010 i ka shkuar kryetares së Kuvendit popullor Jozefina Topallit. Çmimi i është dhënë dje në mëngjes, në sallën e Këshillit të Komunës së Caprit nga Marino Lembo, nënkryetar i Komunës dhe aksesor për Urbanistikën.
Forumi Mesdhetar për Paqen ka përzgjedhur Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, përmes propozimit të bërë nga Senatori Sergio De Gregori, President i delegacionit parlamentar italian i Asamblesë së NATO-s.
Në motivimin e këtij çmimi mes të tjerash u tha që “Topalli mishëron me historinë personale dhe karrierën e saj, një figurë politike dhe një shembull për të gjithë ne. Karriera brilliante dhe shumëdimensionale akademike dhe karriera në Parlament që nga viti 1997, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2005, shumë aktive në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve, Kryetarja Topalli është angazhuar dukshëm e në mënyrë të konsiderueshme në përpjekjet që vendi ka bërë për anëtarësimin në NATO aktualisht në funksion të anëtarësimit në BE”.
“Më nderon marrja e këtij çmimi – u shpreh Topalli – që është vlerësim, më shumë se për mua, për vendin tim dhe bashkatdhetarët e mi, të shtypur për vite nën thundrën e komunizmit. Sot kemi rikuperuar kohën e humbur falë energjive tona. Hyrja në Nato e Shqipërisë përbën një certifikatë lirie dhe presim me padurim edhe hyrjen në BE. Mesdheu përfaqëson një udhëkryq shkëmbimesh kulturore, tregtare dhe paqeje. Dhe Italia në veçanti, ka qenë për ne shqiptarët gjithnjë një dritare kur gjithçka ishte në errësirë. Prej dy vjetësh, me gjithë krizën e përgjithshme, – është krenuar Topalli – vendi ynë ka pasur një rritje prej 3,5% duke dyfishuar eksportimet dhe prurjet nga turizmi”.
Në ceremoninë e dorëzimit të çmimit ishin të pranishëm përveç përfaqësuesve të institucioneve lokale edhe ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola. Delegacioni shqiptar ka kaluar paraditen në Capri, dhe pasditen në Positano. Sot Jozefina Topalli do të vizitojë Forio d’Ischia, ku kryebashkiaku, Franco Regine, do t’i dorëzojë “Mediterraneo di pace”, kujtim të një ishulli që dialogun për sigurinë mesdhetare e ka kthyer në flamur të angazhimit politik dhe institucional.