Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e ftuar në emisionin Opinion të Klanit, sulmon pa doreza presidentin e Republikës, Bamir Topi
Tiranë, 4 nëntor 2011 – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e ftuar mbrëmë në emisionin televiziv Opinion të drejtuar nga Blendi Fevziu në kanalin Klan, tha se Bamir Topi ka dëmtuar disa herë Partinë Demokratike me qëndrimet e tij. Pa pasur asnjë mundësi që Topi, apo të tjerë për të, të shprehin mendimin e Presidencës së shtetit, kryetarja Topalli ka vazhduar të thotë të sajën për rreth dy orë, duke sulmuar kështu hapur postin më të lartë të shtetit shqiptar.
Pasi e cilësoi ligjin për menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta si të standardeve europiane, Topalli tha se “Presidenti Topi ka shkelur Kushtetutën kur e ka rikthyer në Kuvend këtë ligj”.
Sipas saj “ai e ka përdorur këtë ligj si një instrument politik dhe për arsye politike, ndoshta pasi mendonte se mund të gënjente shqiptarët, tani që ka shpallur projektin e tij për krijimin e një partie të re”.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se “personalisht nuk ka asnjë tension me zotin Topi”. “Unë jam politikane dhe kam thënë atë që besoj, se Topi ka zgjedhur të luajë në fushën e majtë. Më pas, Topi fyeu dialektin e Shkodrës, për të cilin unë jam krenare. Ai është një i djathtë që voton kryetarin e së majtës”, tha Topalli.
Duke kujtuar disa raste, kur sipas Topallit, qëndrimi i Bamir Topit ka dëmtuar Partinë Demokratike, Kryetarja e Kuvendit iu rikthye vitit 1996, kur të dy u zgjodhën për herë të parë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. “Ai u zgjodh atëherë ministër, ndërsa unë kryetare e komisionit të ligjeve. Nuk është se kemi pasur ndonjë marrëdhënie njohjeje të afërt. Por, ka disa elementë kryesorë mbi të cilët unë kam krijuar mendimin tim lidhur me situatat që Topi ka pasur në PD”, tha Topalli.
Sipas saj në vitin 1998, kur do të zgjidhej kryetari i degës së PD-së për Tiranën dhe Bamir Topi ishte kandidati kryesor për këtë post, ai u tërhoq nga kandidimi vetëm dy orë para konferencës edhe pse lajmi për kandidimin e tij ishte publikuar tashmë edhe në media.
Topalli kujtoi një tjetër rast, ku sipas saj, Bamir Topi ka dëmtuar PD-në. “Bamir Topi kërkonte që të kandidonte në zgjedhjet vendore të 2003 për kreun e Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministri Berisha ia kishte premtuar se do të ishte kandidati i PD-së për kryetar bashkie. Vetëm disa orë para shpalljes së kandidaturave, Bamir Topi erdhi dhe tha se nuk do të kandidonte, duke na lënë në një moment të vështirë, pasi nuk kishim kohë për të gjetur një kandidat tjetër. Në këtë moment, Spartak Ngjela tha se, e hedh unë kandidaturën, pasi nuk e lë PD-në pa kandidat për kryetar Bashkie. Pra, gjithmonë vendimet e Topit kanë qenë për interesin e tij”, tha Topalli.
Sipas saj “me gjithë këto raste, Kryeministri Berisha vazhdonte ta respektonte njëlloj Bamir Topin”. “Nuk e di arsyen se pse Berisha e ka respektuar në mënyrë krejt të veçantë Topin. Pas këtyre rasteve, kur ishin zgjedhjet politike, Bamir Topi donte të ndryshonte zonën e tij elektorale dhe Berisha sërish ia plotësonte çdo kërkesë”, tha Topalli.
Topalli tha se nuk ka qenë kundër zgjedhjes së Bamir Topit për President, madje ka punuar me të gjitha forcat për këtë qëllim. “Natyrisht ka qenë Berisha që e ka bërë President, por unë nuk kam qenë kundër. Kam bërë përpjekje dhe ndoshta kam shtuar ndonjë votë, jo se janë blerë vota. Kjo, pasi nëse nuk zgjidhej Presidenti, vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme dhe rrezikonim anëtarësimin në NATO, ndaj dhe gjithë investimi shkoi te Bamir Topi”, tha ajo.