in

Topi: “Komuniteti shqiptar në Itali, urë e fortë lidhëse mes dy vendeve”

Presidenti Bamir Topi në vizitë zyrtare në Torino, është takuar me kryebashkiakun e qytetit, Piero Fasino, me Presidentin e Këshillit Krahinor të Piemontes, Valerio Cattaneo, dhe ka ka marrë pjesë në përurimin e ekspozitës fotografike “Shqipëria para dhe pas”. Presidenti bashkatdhetarëve në Torino: “Kujtoni gjithnjë se si [italianët] ju hapën zemrat e italianëve duke ju krijuar mundësi që të ndërtoni jetën dhe të ardhmen”

Romë, 26 nëntor 2011 – Kanë filluar sot festimet e përvjetorit të pavarësisë, të organizuara nga Qendra e Kulturës shqiptare dhe Bashkia e Torinos me përurimin e ekspozitës fotografike “Shqipëria: para dhe pas – vendi i tyre i parë nën këndvështrimin e të rinjve shqiptarë” në Qendrën Ndërkulturore të qytetit. Në përurim ka marrë pjesë Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, këto ditë në vizitë zyrtare në Torino, i shoqëruar nga Ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, Drejtori i Përgjithshëm për BE-në në ministrinë e Jashtme italiane, Mario Bova, Drejtuesi bashkiak i Torinos për Kulturën, Promovimin dhe Turizmin, Maurizio Braccialarghe, drejtues vendorë dhe personalitete të artit e kulturës si dhe shumë bashkatdhetarë.

“Shqipëria para dhe pas” përmban foto që i përkasin periudhës së regjimit komunist dhe të demokracisë, të realizuara nga studentë shqiptarë që ndjekin universitete të ndryshme të Italisë. Në këto fotografi bien në sy kultura estetike, përzgjedhja realiste për të përshkruar dy sisteme të ndryshme, para dhe pas vitit të madh të ndryshimeve ku fotoja që ndan dy epokat është shkrepur në Qytetin Studenti në dhjetor 1990 dhe atdhedashuria me të cilën është konceptuar kjo foto-ekspozitë.

Në përfundim të ceremonisë së përurimit, të pranishmit ndoqën një homazh muzikor e letrar për nder të poetit të madh shqiptar, Migjenit, i cili u shua pikërisht në Torino.

Duke i përgëzuar organizuesit për këtë veprimtari “të thjeshtë, por shumë domethënëse”, Presidenti Topi theksoi: “kjo foto-ekpozitë na kujton si ishim, por na shërben edhe për të rikujtuar mikpritjen që ju keni gjetur këtu. Prandaj si qytetar, si politikan, si President i Republikës, mendoj se është e rëndësishme të kujtojmë se si ju hapën zemrat e italianëve duke ju krijuar mundësi që të ndërtoni jetën dhe të ardhmen. Brezi i ri, sidomos, duhet të jetë i ndërgjegjshëm për sakrificat e prindërve, por edhe për perspektivën që do të zgjedhë qoftë duke jetuar, studiuar e punuar në Itali në të ardhmen, qoftë duke u kthyer në Shqipëri, por një gjë është e qartë: të gjithë do të jemi pjesëtarë në familjen e madhe evropiane”.

Duke u kujtuar pjesëmarrësve të shumtë në këtë përurim se jemi në prag të një dite shumë të rëndësishme për historinë e Shqipërisë, kreu i Shtetit shqiptar u uroi të gjithëve Festën e Flamurit dhe Ditën e Pavarësisë, të cilën do ta festojë sonte në mbrëmje së bashku me bashkatdhetarët e shumtë të Krahinës së Piemontes dhe të qytetit të Torinos.

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u prit sot edhe nga Kryetari i Bashkisë së Torinos, Piero Fassino. Presidenti Topi i shprehu zotit Fassino konsideratën e lartë për rolin dhe punën e Kryebashkiakut të Torinos në mbështetje të politikave vendore që nxisin integrimin e shtetasve të huaj në këtë qytet, e në veçanti për qytetarët shqiptarë. “Komuniteti shqiptar në Itali është një urë e fortë lidhëse, komunikimi mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe aftësia dhe zotësia e këtij komuniteti për t’u integruar në një kohë të shkurtër në jetën e një qyteti të zhvilluar, plot kulturë e histori, siç është Torino, dëshmon për gjenezën dhe identitetin evropian të shqiptarëve që shprehet qartazi, sidomos sot, në aspiratën e mbarë popullit për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane”, – u shpreh Presidenti i Republikës.

Kryebashkiaku i Torinos theksoi se ndihet i nderuar për praninë e Presidentit Topi “pikërisht në përvjetorin e njëzetë të nisjes së emigracionit modern shqiptar në Torino. Shqiptarët, me punën, djersën dhe pasionin e tyre kontribuojnë çdo ditë për rritjen ekonomike, shoqërore dhe kulturore të këtij qyteti. Së bashku me grupet e tjera të emigrantëve, që janë integruar më së miri, ata përbëjnë një pasuri për qytetin tonë.’’

Nga anë e tij presidenti Topi theksoi se: “Ëndrra e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë është që të integrohen në Bashkimin Evropian. Duke pasur parasysh bashkësinë shqiptare tashmë të integruar në Krahinën e Piemontes dhe në Torino, ne kemi një urë lidhëse mes nesh të përbërë nga njerëz që jetojnë e punojnë së bashku çdo ditë. Prandaj shpresojmë që edhe numri i investitorëve torinezë të rritet në Shqipëri.’’

Presidenti Topi u prit sot edhe nga Presidenti i Këshillit Krahinor të Piemontes, Valerio Cattaneo. Edhe gjatë këtij takimi, u vlerësuan marrëdhëniet tradicionale të shkëlqyera e shumëplanëshe që ekzistojnë mes dy vendeve tona si dhe bashkëpunimin e vlefshëm politik, ekonomik, shëndetësor, kulturor, akademik, etj, duke vënë në dukje gjithashtu edhe nevojën për një intensifikim të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi. “Shqipëria shikon tek Italia një partner strategjik, një vend dhe një popull mik me të cilin ne kemi shprehur qartë dhe kemi dëshmuar prioritetet e bashkëpunimit të gjithanshëm në funksion të interesave të vende dhe popujve tanë”, vuri në dukje Presidenti Topi.

Presidenti i Këshillit Krahinor të Piemontes, Cattaneo, shprehu kënaqësinë e këtij takimi dhe vuri në dukje “praninë e rëndësishme të bashkësisë së mirintegruar shqiptare dhe rolin e saj me peshë në Krahinë”.

Gjatë ditës së sotme, Presidenti u takua dhe u përshëndet përzemërsisht edhe me Ministrin e ri të Arsimit të qeverisë italiane, Francesco Profumo, me Senatoren Ana Maria Serafini, me Rektorin e Universitetit Politeknik të Torinos, Ezio Pellicetti dhe me të tjerë personalitete të botës politike, financiare dhe akademike.

Lexo edhe: Torino – Albania, vent’anni dopo

Jahjaga: “Bërja e Shqipërisë një shekull më parë, rrëfimi më i suksesshëm i historisë kombëtare”

Kosova feston Ditën e flamurit të kombit