Sekuestrohet edhe trageti i kompanisë Veronica Line të linjës Vlorë-Bari
Karabinierët e Borgo San Lorenzo kanë kryer një operacion anti drogë që ka përfshirë disa qytete italiane: Firenze, Romë, Milano, Lecce, Bari e Treviso janë vetëm disa prej zonave ku janë arrestuar grupe shqiptarësh dhe italianësh me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Gjithsej janë arrestuar 25 persona. Në kuadrin e operacionit janë konfiskuar 7 shoqëri tregtare me një vlerë prej 20 milionë eurosh.
Bëhet e ditur se hetimet kanë filluar që në mars të vitit 2007 dhe janë arrestuar gjithsej 76 persona, anëtarë të të njëjtit rrjet trafikantësh dhe janë paditur 100 të tjerë.
E veçanta e këtij operacioni është se gjatë konfiskimeve nuk janë bllokuar vetëm 15 kamionë tir, 6 traktorë, 33 rimorkio, një numër i madh automjetesh dhe furgonësh. Forcat e rendit kanë sekuestruar edhe një traget të kompanisë Veronica Line të linjës Vlorë-Bari që përdorej për transportimin e lëndëve narkotike, të cilat zakonisht fshiheshin në rrotat e automjeteve.