Për shkak të detit të trazuar dhe erës së fortë, linjat e trageteve Durrës-Bari pësojnë vonesa disaorëshe
Tiranë, 11 shkurt 2012 – “Kushtet atmosferike në gjirin detar të Durrësit sot do të jenë të paqëndrueshme”, bëjnë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit, sipas të cilave reshjet që kanë nisur mbrëmjen e kaluar do të vijojnë gjatë gjithë ditës.
Deti i trazuar me forcë 6 dhe era e fortë me drejtim nga jugu kanë penguar natën e kaluar nisjen e trageteve “Ionis” dhe “Riviera del connero” drejt portit të Barit (Itali).
Tragetet janë nisur vetëm sot në orët e para të mëngjesit, duke shënuar një vonesë prej 7-8 orëshe.
Ndërkaq tragetet “Rigel” dhe Riviera Adriatica” kanë mbërritur nga Bari në Durrës në orarin e parashikuar.
Era do të vahdojë të fryjë e fortë me shpejtësi 15-17 metra në sekondë. “Reshjet e shiut dhe era e fortë do të pengojnë veprimtarinë e ngarkim- shkarkimit të anijeve tregtare në portin më të madh të vendit”, përfundojnë burimet.
“Të gjitha motopeshkatoret e sektorit të Durrësit janë rikthyer në portin detar për shkak të motit të keq”, vijojnë burimet e kapitenerisë.