in

Tragjedia e Lampedusës, masakra e të pafajshmëve. Reagimet

Napolitano: “Masakër të pafajshmish! Të patrullohen brigjet nga nisen migrantët”. Papa Francesco: “Tmerr. Është turp!”. Kyenge: “Nevojitet një plan ndihmash dhe ndërhyrjesh të BE-së.

Roma, 3 tetor 2013 – Ka shkaktuar reagime të shumta tragjedia e fundit e migrantëve në brigjet e ishullit të Lepujve pranë Lampedusës, ku kanë humbur jetën rreth 200 migrantë, më e rënda e viteve të fundit, e që ne shqiptarëve na sjell ndërmend vdekjet në kanalin e Otrantos.

Për presidentin Giorgio Napolitano, po bëhemi dëshmitarë të një sërë “masakrash njerëzish të pafajshëm” ndaj edhe “janë të domosdoshme vendime e veprime nga komuniteti ndërkombëtar e në radhë të parë nga Bashkimi Evropian”.

“Është e domosdoshme – thuhet në një komunikatë të presidentit – të ndërpritet trafiku kriminal i qenieve njerëzore në bashkëpunim me vendet nga vijnë flukset e migrantëve dhe të azilkërkuesve. Ndaj janë të domosdoshme të kontrollohen brigjet nga nisen udhëtimet e dëshpërimit e të vdekjes”.

Tragjedia “është e tmerrshme dhe e turpshme” sipas Papës Francesco që në twitter shkruan: “I lutemi zotit për viktimat e mbytura në ujërat përballë Lampedusës”.  

“Përgjegjësia morale e tragjedisë që po ndodh në ujërat e Lampedusës është e gjitha e dyshes Boldrini-Kyenge” abuzon Gianluca Pini, nënkryetar i grupit të Legës së verit. “Idetë e tyre për politika buoniste ndaj vendeve të botës së tretë ka sjellë rezultatet dramatike si këto. Duke vazhduar të përhapin mesazhe mikritjeje, i vetmi rezultat do të jetë shkaktimi i më shumë viktimave se vetë lufta”.

“Dua të shpreh ngushëllimet dhe dhimbjen time për viktimat e Lampedusës, një tragjedi e tmerrshme që na detyron të gjithëve të trajtojmë në mënyrë radikale problemin dramatik të migrantëve që largohen nga vende në luftë” ka thënë ministrja Cecile Kyenge. “Duhet të angazhohemi më fort në kërkim politikash dhe masash të reja për të mos lejuar përsëritjen e këtyre tragjedive”. “Është e nevojshme të ngrihet një koordinim mes ministrive të ndryshme: e Brendshme, e Jashtme, e Mbrojtjes dhe e Infrastrukturave për të çuar përpara një plan ndihmash për refugjatët dhe për komunitetet lokale e komunat që janë të parat që përballen me problemet që rrjedhin nga mbështetja dhe pritja e migrantëve. Nga ana tjetër – vazhdon ministrja – duhet kërkuar me më shumë forcë ndërhyrjen e BE-së duke filluar nga adoptimi i kanaleve humanitare që udhëtimet e shpresës të jenë të sigurta, udhëtime me të cilat organizata kriminale nxjerrin fitime në kurriz të burrave, grave dhe fëmijëve”.

“Së fundi – pëfundon ministrja – atyre që hedhin fajin moral të asaj çka po ndodh mua dhe kryetares së Dhomës së deputetëve, siç deklaroi legisti Gianluca Pini, dëshiroj të them se deklarata të tilla janë fyese jo vetëm ndaj nesh por ndaj viktimave, ndaj italianëve, ndaj banorëve të zonave që po bëjnë çmos në mbështetje të migrantëve”.

“Shpresojmë që Bashkimi Evropian të kuptojë që nuk është vetëm një dramë italiane por edhe evropiane” thotë ministri i brendshëm Angelino Alfano. “Do t’i telefonoj presidentit të Komisionit evropian Barroso – lajmëron – dhe do të ngre zërin në emër të Italisë”.

Edhe Komisioni Evropian i bëri thirrje sot BE-së dhe shteteve të saj anëtare të intensifikonin përpjekjet dhe masat për parandalimin e tragjedive të tilla si kjo e sotmja e Lampedusës. “Evropa duhet të shtojë përpjekjet e saj për parandalimin e tragjedive dhe të shfaqë më shumë solidaritet ndaj emigrantëve dhe ndaj vendeve që presin fluks në rritje të refugjatëve”, deklaroi komisionerja evropiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmström. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me vendet e origjinës ose vendet tranzit të refugjatëve, në përpjekjet për krijimin e korridoreve të reja për emigracionin ligjor, si edhe rëndësinë e marrëveshjes së arritur kohët e fundit me Marokun, me shpresën që marrëveshje të ngjashme të lidhen me vendet e tjera në rajon, si rasti i Tunizisë. “Kemi nevojë për një politikë të fortë evropiane për emigracionin”, theksoi Mishele Cecone, gjatë një konference për shtyp.

K.B.

Lexo edhe: Varreza Otranto

Rama ambasadorëve: Arkat e shtetit janë bosh

Lampedusa non è solo un’isola italiana