in

Tragjedia e Leccos. Me lot e dhimbje, qyteti u jep lamtumirën tri motrave Dobrushi

Romë, 14 mars 2014 – Simona, Keisi dhe Sidni do të jenë akoma për pak orë në qytetin e Leccos ku lindën u rritën e në moshë të njomë edhe humbën jetën. Mëngjesin e të premtes (14 mars) arkivolët e bardhë me trupat e tyre do të nisen në drejtim të Barit, ku do të priten nga konsulli i përgjithshëm Ermal Dredha, për t’u imbarkuar në një traget për në Durrës. Që aty do të çohen në qytetin e prindërve, Kukës, ku do të mbahet edhe ceremonia mortore e do të varrosen.

Tragjedia familjare që u mori jetën vajzave, që këtë javë tronditi mbarë Italinë dhe Shqipërinë, të enjten pati kapitullin e fundit në Lecco. I gjithë qyteti, me vendim të kryetarit të bashkisë, mbajti një ditë zi, në mesditë një minutë heshtje ndërsa në mbrëmje u mblodh sërish rreth të atit të vajzave e familjarëve të tjerë në një ceremoni homazhi të orgënizuar nga autoritetet vendase.

Ashtu si të mërkurën, edhe të enjten me qindra shqiptarë e italianë u mblodhën për t’u dhënë lamtumirën vajzave e për të ngushëlluar babanë dhe familjarët (nga anë e nënës dhe e babait), këtë radhë në prani edhe të autoriteteve. Në Casa sul Pozzo ku u mbajtën arkivolët me trupat e vajzave këto dy ditë, kanë qenë të pranishëm edhe prefektja e Leccos, Antonia Bellomo, kryetari i bashkisë Virginio Brivio, kuestori Antonio Francini, një i dërguar i presidentit të provincës, asesori Antonio Conrater, komandanti i zjarrfikësve Franco Morizio, komandanti i karabinierëve që këto ditë ka ndjekur çështjen Rocco Italiano, Atë Angelo Cupini, si edhe konsullja e përgjithshme e Shqipërisë në Milano, Luljeta Çobanaj dhe konsulli Rezart Shkëmbi.

Kryetari i bashkisë së Leccos vuri theksin në faktin se gjatë këtyre ditëve pas tragjedisë “qyteti diti të bashkohej pa shprehur fjalë zemërimi e hakmarrjeje”. “Por kaq nuk mjafton. – ka vazhduar Brivio – Duhet të jemi të kujdesshëm që çdo person që ka një barrë, siç e kishte edhe kjo nënë, të ndihmohet nga komuniteti. Duhet të mbajmë të gjithë barrën e të tjerëve, të mos ua mungojmë asnjëherë ndihmën tonë. Një qytet piqet përballë ngjarjeve të tilla nëse arrin të gjejë një arsye për të hedhur një hap përpara. E këto ditë, ky hap është bërë. Të përpiqemi të mos e çojmë dëm”.

“Në emër të kryeministrit shqiptar Rama, të ministrit të Jashtëm Bushati dhe të stafit të konsullatës së Shqipërisë në Milano” i ka bërë ngushëllimet familjes konsullja e përgjithshme Luljeta Çobanaj, që ka shtuar se “të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, janë prekur nga kjo tragjedi, e gjithë Shqipëria qan me ju”.
Ajo ka falënderuar në mënyrë të veçantë “autoritetet e Komunës dhe të Provincës së Leccos dhe të gjithë popullatën që u bë pjesë e kësaj tragjedie të jashtëzakonshme që ndodhi në rrethana kaq të veçanta, të lidhura edhe me vështirësitë sociale e familjare në të cilat bien shpesh emigrantët”.
“Ne nuk duhet të gjykojmë askënd, do të jetë vetëm Zoti ai që do të thotë fjalën e fundit mbi këtë ngjarje kaq të rëndë, për të cilën secili nga ne ndihet i pafuqishëm”.
“Të shpresojmë që sakrifica e Simonës, Keisit dhe Sidnit të mund të mbrojë nga lart fëmijët e tjerë dhe që ikja e tyre nga kjo jetë në mënyrë tragjike e të parakohshme të mos na lërë indiferentë, të na kujtojë të gjithëve se familja është gjëja më e shtrenjtë dhe se duhet luftuar për ta mbajtur të bashkuar e të mbrojtur”.

“Dua që të ndieni përqafimin e të gjithëve ne. – u është drejtuar familjarëve prefektja Bellomo – Kemi mbetur thellësisht të tronditur nga ç’ka ngjarë. Jemi këtu për t’ju ndenjur pranë si miq, si prindër, të vetëdijshëm se asgjë nuk mund të fashitë dhimbjen tuaj”.

“Besoj se vetëm me heshtje, lutje dhe një mendim për shpirtrat e vajzave është e vetmja gjë që mund të bëjmë në këtë çast” ka thënë mes të tjerash asesori i provincës Conrater.

“Këto vdekje të dhunshme na thonë se duhet të mendojmë për një njerëzim ndryshe. Çfarë ndodhi këto ditë në qytetin tonë që u mblodh i gjithi në një përqafim? – kanë qenë fjalët e famullitarit  Angelo Cupinit – Të gjithë u tronditën nga lajmi dhe ndanë me gjithë zemër dhimbjen e thellë. U krijua një rrjet që na bëri të gjithëve më të njerëzishëm”. Ai vlerësoi që këto ditë “të gjithë ditën të lënë mënjanë mllefin e të bashkoheshin në dhimbje”.

Komandanti provincial o Karabinierëve, Rocco Italiano, ka përshëndetur në mënyrë ushtarake në heshtje tri arkivolet. Pas familjarëve, ka qenë ai dhe njerëzit e tij që kanë përjetuar më nga afër këtë tragjedi: nga çasti i gjetjes së trupave të pajetë të tre motrave deri te zbulimi i tmerrshëm se xhelati i tyre kish qenë e ëma.

Shqiptari i Italisë

 Lexo edhe: Bashkim Dobrushi të bijave: “Ju kërkoj ndjesë”

 

Ballakumet e Ditës së Verës – Recetë Elbasani

Tragjedia e Leccos. Bashkim Dobrushi të bijave: “Ju kërkoj ndjesë”