Nga Maks VELO
Po të duam të studiojmë dinamikën e trashëgimisë, do të thosha se deri më 1945 u krijua fondi i saj. Nga 1945 deri më 1990 u krijua një trashëgimi e re, ajo komuniste, dhe u dëmtua trashëgimia paraardhëse. Në periudhën 1991 deri në 2014, kemi një tranzicion në luhatje, ku edhe vazhdojnë dëme të rënda ndaj trashëgimisë. Nuk u arrit dot të bëhet rilidhja e plotë me traditën e para 1945-ës. Kemi edhe deformime të rënda, si rasti i aplikimit të Kanunit.
Nuk arrijmë dot të formësojmë as një rrymë të pastër moderne. Ajo që më shqetëson është fenomeni i refuzimit të trashëgimisë. Kjo vjen nga disa faktorë: varfëria materiale dhe intelektuale, imitimi i gabuar nga eksperiencat në vendet e emigracionit, politikat konfliktuale të pushtetit politik apo atij religjioz. Janë me qindra monumente të dëmtuara, së fundi: Kisha e Kozares në Berat. Si qytete, më shumë janë prekur Gjirokastra, Berati dhe Korça. Po sjell vëzhgimet e mia nga Korça, qytet që e njoh më mirë dhe ku e kam monitoruar procesin. Raporti me trashëgiminë ka turbulenca të çuditshme. E kam të pashpjegueshme, me gjithë përpjekjet e mia, të kuptoj përse një komunitet qytetar, siç ishin ata të Ortodoksëve të Korçës, në një periudhë të shkuar 100-vjeçare ishin më të ditur, më të disiplinuar dhe më të kulturuar, në kuptimin e zgjidhjeve dhe vendimmarrjeve urbane sesa ata që janë sot. Ishin racionalë, të thjeshtë, bashkëruajtës së ligjeve të pashkruara që formësonin nga ana urbane qytetin. Në tërë qytetin e vjetër nuk kish asnjë shkelje të kodeve urbane. Qyteti funksiononte si një i tërë, si një orë pa defekt. Dhe atëherë nuk kish asnjë arkitekt. Zgjidhjet planimetrike, volumore dhe pamore (fasadat), përcaktonin jo vetëm një jetesë ekonomike, por po ashtu edhe ekologjike dhe bashkëjetesë komunitare të përsosur. Ato janë një katalog i lakmuar për nga racionalja dhe harmonia. Kjo edhe i jepte qytetit atë kompaktësi, dinjitet, dhe harmoni vlerash urbanistike dhe arkitektonike.
Sot, Bashkia e Korçës nuk njeh pjesërisht juridiksionin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Ka refuzuar të respektojë ligjet dhe urdhëresat e sanksionuara për tërë territorin e Republikës. Kjo tregon se trashëgimia konsiderohet si pengesë dhe jo si vlerë. Popujt e vonuar si i yni, historinë e kanë jetuar me ndërprerje, çarje dhe shkëputje.
Kur KOHA HISTORIKE nuk jetohet në vazhdimësi, mbeten në kujtesë copa të ngurtësuara kohore të padeshifrueshme. Si hematomat cerebrale. Këto dhe sjellin komën kulturore. Këto HUMBJE KUJTESE bëjnë që të mos jesh me hapin e kohës, me kohët moderne. Ka edhe intelektualë që e dëshirojnë këtë, bile duan edhe kthime mbrapsht. Janë gazetarë, poetë, shkrimtarë, politikanë, historianë, që gjatë këtyre 22 viteve kanë bërë çmos për këtë pengim historik. Sot rezultatet duken haptas. Përplasja e qytetërimeve evidentohet më së miri në analizën se si ka ecur fati i trashëgimisë. Shqipëria dhe veçanërisht Berati është fakt i dukshëm.
Gjithë aftësitë tona duhet të përqendrohen aty që këto dy qytetërime të mos përplasen (sikurse duan disa), por të bashkëjetojnë. Po nuk pati bashkëjetesë të qytetërimeve nuk ka as bashkëjetesë të jetës së jetuar sot. Dëmtimi i rëndë i afreskeve të Onufrit në Valsh, rrëzimi i kryqit në Krrabë, dëmtimi kriminal i 20 portreteve në afresket e Voskopojës më 1996, të gjitha janë një fakt i rëndë. Pale pastaj po të përmendim skulpturën monstër të Skënderbeut që na e sollën peshqesh në Rinas xhihadistët maqedonas dhe kosovarë.
Sigurisht, unë me ta nuk kam asnjë gjë të përbashkët. Ekziston rreziku që kultura të ndryshme, brenda të njëjtit shtet, hakmerren kundër njëra-tjetrës me anën e trashëgimisë. Kjo dhe është fatkeqësia më e madhe e një populli. Të gjithë mundohen të grumbullojnë vlera, por t’i kesh dhe t’i zhdukësh, është një krim kundër njerëzimit. Trashëgimia është ADN-ja e një kombi. Pa të mund të ngatërrohet dhe tjetërsohet vetë kombi. Qytetërimet e mëdha kanë vlerësimin më të lartë për trashëgiminë. Antiqytetërimet e zhdukin trashëgiminë. Kur themi trashëgimi vetvetiu kuptojmë vlerat më të larta. Trashëgimia evidenton, studion, seleksionon, ruan dhe konservon pjesët më të vyera të jetës së kaluar, si materiale ashtu dhe shpirtërore. Më e dukshme dhe prezente është trashëgimia materiale. Moderniteti i popujve europianë bazohet në garancinë që jep trashëgimia. Trashëgimia është siguria historike për kapërcimin e krizave identitare gjatë rrugëtimit historik. Trashëgimia është poli i pagabuar që të shpëton sa herë humb rrugën në udhëkryqet historike.
Moderniteti nuk është veçse vazhdimi i kohëve të kaluara. Europianët mundohen të jetojnë brenda trashëgimisë për t’i zgjidhur lehtësisht problemet e komplikuara bashkëkohore. Ai dhe është moderniteti i vërtetë sepse nuk gabon. Nëse Kanuni do të konsiderohej trashëgimi, do të ish një Opus madhor. Kur mundohet të aplikohet në kohët moderne, nuk është veçse një gabim fatal.
Kjo ndodh sepse njeriu i sotëm tek ne nuk e përballon dot modernitetin. Dëshiron të djegë etapat duke djegur trashëgiminë. Le të ecim ngadalë duke mbajtur të ndezur pishtarin e TRASHËGIMISË.