Maria Raffaelli, 74 vjeç dhe Sergio Scoscia, 52 vjeç u gjetën të vrarë në banesën e tyre në periferi të Perugia-s më 6 prill. Për vrasjen e tyre janë arrestuar në Lezhë Artan Gjoka, 24 vjeç, dhe Ndrec Laska, 28 vjeç, dhe në Romë Alfons Gjergji, 27 vjeç
Drejtoria e policisë së Lezhës ka njoftuar se janë arrestuar dy shtetasit Artan Gjoka, 24 vjeç lindur në Arrëz të Mirditës dhe banues në lagjen Varosh të Lezhës, dhe Ndrec Laska, 28 vjeç lindur në Simon të Mirditës dhe banues në lagjen Kodër Marlekaj në Lezhë. Këta dy persona, bashkë me një të tretë, akuzohen si autorët e vrasjes së dyfishtë më 6 prill të një gruaje dhe të djalit të saj në qytetin e Perugia. Një grabitje që përfundoi me vrasje dhe që tronditi opinionin publik.
Njëkohësisht është kapur në Romë Alfons Gjergji, 27 vjeç që mendohet se është anëtari i tretë i bandës. Dy personat e kapura në Lezhë duket se menjëherë pas vrasjes, më 7 prill, janë larguar drejt Shqipërisë.
Maria Raffaelli, 74 vjeç dhe Sergio Scoscia, 52 vjeç u gjetën të vrarë në banesën e tyre në periferi të Perugia-s. Gruaja mendohet se ka pësuar një infarkt e në qafë kishte shenjat e shtrëngimit me një shall. I biri është gjetur i torturuar, me shenjat e goditjeve të një çekiçi në shumë pjesë të trupit, edhe në kokë. Madje pas ekspertizave doli se disa goditje i janë dhënë Sergio Scoscia-s pasi ai kishte ndërruar jetë.
Për ditë me radhë specialistët e policisë kriminale të Perugia-s, të ndihmuar edhe nga specialistët e dërguar nga Roma, kanë punuar në vendin e krimit për të mbledhur provat, gjurmët dhe materialet e nevojshme për ekspertizat. Hetimet qenë shumë të vështira sepse keqbërësit nuk kishin lënë gjurmë dhe me sa duket kanë qenë shumë të kujdesshëm. Prandaj u mendua menjëherë se bëhej fjalë për persona me përvojë në vjedhje e grabitje, shumë të kujdesshëm në komunikimet me njëri tetri, gjë që nuk jepte mundësinë e përgjimeve të frytshme.
Ende nuk dihet arsyeja e vrasjes së dyfishtë. Hipoteza e parë ishte ajo e një grabitjeje që përfundoi keq, por në shtëpi kasaforta është gjetur e paprekur. Më pas në banesë u zbulua një laborator punimi ari që Sergio Scoscia kishte sistemuar në një kthinë sekrete e ku mbante sasi të konsiderueshme ari. Ndoshta ky ka qenë synimi i vrasësve që tani do të përgjigjen para drejtësisë.