in

Tre italianë në X Factor Albania 4

Do të nisë vjeshtën e ardhshme, por 16 konkurruesit janë përzgjedhur tashmë. E ndër këta tre italianë Matteo Brento, Ylenia Iorio e Manuel Moscati që do të provojnë të kenë suksesin e Sarah Memmolas që edicionin e shkuar shkoi deri në finale

Romë, 28 maj 2014 – Nuk kanë kaluar as tre muaj nga nata finale e X Factor Albania 3, e kanë përfunduar tashmë audicionet për përzgjedhjen e këngëtarëve konkurrues për edicionin e katërt të formatit televiziv të zbulimit të talenteve që do të nisë transmetimin televiziv vjeshtën e ardhshme. Ndër 16 këngëtarët pjesëmarrës të edicionit të ri, këtë radhë janë edhe tre italianë. Matteo Brento, Ylenia Iorio e Manuel Moscati. E sipas një interviste të dhënë nga njëri prej tyre, në audicione nuk kanë qenë të vetmit italianë të paraqitur, por rreth 80 vetë.

Ndoshta  janë nxitur nga pjesëmarrja e suksesshme e Sara Memmolas, që në edicionin e fundit arriti deri në finale, por edhe për faktin që shanset e fitores janë më të mëdha se në Itali. Jo pse shqiptarët janë më pak të zotët se italianët, por për faktin e thjeshtë që vota telefonike lejohet (të paktën vitin e shkuar ishte kështu) jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia por edhe nga Italia, gjë që nuk është aspak e shpjegueshme. Nëse do të ishte fjala për komunitetin e madh të shqiptarëve që jeton në Itali, nuk kuptohet pse të mos lejohet atëherë votimi edhe nga Greqia. “Mendjet e liga” mund të mendojnë se vota nga Italia është apostafat për italianët pjesëmarrës, të cilët, të paktën teorikisht, veç publikut prej rreth 6 milionë vetësh të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, kanë edhe një tjetër shtesë prej plot 10 herë më të madh. Për t’u kuptuar, nëse Elhaida Dani fitoi vitin e shkuar në Itali, këtë e arriti falë zërit të saj e vetëm falë votave të Italisë. Pse atëherë në X Factor Albania të gjithë këngëtarët të mos vlerësohen vetëm nga publiku shqiptar?

Urojmë të mos jetë kështu, edhe pse të vjen ndërmend një nga batutat e famshme të Giulio Andreottit “Të mendosh keq bën mëkat por ndonjëherë i bie në të”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Tëitter)

Crisi. Istat: “Si aggrava la situazione dei lavoratori stranieri”

Parma. Shkolla shqipe Scanderbeg mbush pesë vjet