Shoqata Scanderbeg mbyll vitin e pestë shkollor e feston për të shtatin vit rresht Ditën ndërkombëtare të fëmijëve me teatrin “Udhëtim në Shqipëri”. Festa të dielën, ora 14:30, në Teatro al Vicolo, Vicolo Ardente, 9/b, Parma
Romë, 28 maj 2014 – Si çdo vit në këtë periudhë, shoqata Scanderbeg e Parmës po përgatit festën e mbylljes së vitit shkollor të fëmijëve të familjeve shqiptare që ndjekin shkollën shqipe, festë në të cilën ftohen të marrin pjesë të gjithë shqiptarët që jetojnë në Parma e përreth dhe miqtë e tyre italianë. Këtë radhë festa është të dielën më 1 qershor, pikërisht në Ditën ndërkombëtare të fëmijëve. E do të nisë në orën 14.30 në Teatro al Vicolo (adresa: Vicolo Ardente, 9/b, Parma) me shfaqjen “Udhëtim në Shqipëri”, me tekst dhe regji të njërës prej mësueseve, Anila Kadijës, dhe pjesëmarrjen e nxënësve, mësuesve dhe prindërve.
Në fund të shfaqjes do të mbahet ceremonia e shpërndarjes së dëftesave të nxënësve që këtë vit ndoqësh shkollën shqipe Scanderbeg. Pasditja e 1 Qershorit do të vijojë me koncertin e grupit të valleve Scanderbeg dhe përurimin e ekspozitës së vëllezërve piktorë Alban e Edi Gjoci.
Shkolla Scanderbeg, fryt i punës, vullnetit e pasionit
“Ky që mbyllim është viti i shtatë i shkollës së organizuar vullnetarisht nga shoqata jonë – thotë për Shqiptariiitalise.com Anila Kadija, që jep mësim në këtë shkollë që nga hapja e saj. – Shkolla është ndoshta veprimtaria më e rëndësishme e shoqatës, qoftë për misionin që ka, qoftë për jetëgjatësinë. Është kënaqësi e jashtëzakonshme të shohësh jo vetëm rëndësinë që prindërit i japin mësimit të shqipes nga fëmijët e tyre, por veçanërisht pasionin e vullnetin që fëmijët tregojnë në shkollë”.
“Unë dua t’i përmend të gjithë, janë të gjithë copëza mozaiku. Mbresat janë të shumta sa herë u mësuam dhe sa herë na dhuruan atë buzëqeshjen e tyre fëminore, sa herë afrohej festa e 28 nëntorit apo e Vitit të ri, sa herë pritëm 1 qershorin sikur të ishim në Shqipëri çdo herë që morëm dhe dhamë maksimumin sepse vetëm pasioni është sekreti i vazhdueshmërisë”.
A keni pasur ndonjë ndihmë nga Qeveria shqiptare? “Të vetmen ndihmë konkrete në vitin shkollor 2012 -2013 me librat e dhuruara nga ministria e Kulturës përmes Ambasadës shqiptare në Romë. E kam fjalën për “Të mësojmë gjuhën amëtare dhe kulturën shqiptare”, vëllimet 1, 2 dhe 3. Vjet nisëm dhe përfunduam të parin, në vitin shkollor 2013-2014 të dytin. I kemi ndarë gjithmonë në dy grupe fëmijët: ata të abetares dhe ata të librit në fjalë. Nga eksperienca ime dhe e kolegeve, arrijmë në konkluzionin se emigracioni ka nevojë për një libër të vetëm të përqendruar në bazat e gjuhës dhe kulturës, pa shumë ngarkesë dhe stërhollime. Nuk duhen volume që më shumë krijojnë konfuzion e lodhin fëmijët”.
Çfarë do të propozonit për të ardhmen? “Të japësh mësim një herë në javë, dy apo tre orë, është një minimum i konsiderueshëm kohe që kërkon një minimum të konsiderueshëm mësimdhënieje. Dëshiroj ta promovojmë në bashkëpunim me universitetin e Tiranës, degën Gjuhë Letërsi si dhe me Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës këtë ide duke dhënë vullnetarisht ndihmën e eksperiencës personale. mendoj se është një objektiv i dëshiruar nga të gjithë, për shembull, unifikimi në një vëlllim i gjuhës shqipe për moshat 8 deri në 12 vjeç për të gjithë diasporën. Nëse ke një program serioz me metodikë, të njohur nga shteti shqiptar, edhe familjet do të ishin më të prirura të sillnin fëmijët në shkollë. Ne japim dëftesa simbolike e do kishte qenë më serioze dhe më bukur një dëftese shtetërore. Gjuha është kombi, shteti i një kombi duhet t’i japë vlerën edhe përtej kufijve pa shumë fjalë në erë”.
Po ndonjë ndihmë nga Komuna e Parmës? “Vetëm këtë vit ka patur një mbështetje konkrete nga Bashkia e qytetit me dhënien e një ambjenti didaktik falas që është një ludotekë shtetërore në qendër të qytetit. Vitet e tjera kemi pasur mbështetjen e kishës me lokale të paguara në mënyrë simbolike nga fondi i shoqatës”.
“Shkolla ka rezistuar për gjithë këta vjet falë pasionit” thotë Kadija. Të mësuesve në veçanti, të cilëve u shkon mirënjohja dhe respekti. E në këto 5 vite kanë dhënë apo japin mësim në shkollën Scanderbeg, veç Anila Kadijës, edhe Brunila Hoxha Xhemo, Erlinda Pjeci, Adriana Rushiti, Anora Zuna, Durim Lika, Elvira Lika Lashi, Alma Petja Babamusta, Edlira Laçi Ndreu, Aurela Lashi Paja, Sonila Otobashi. “Puna vullnetare e ka si ninfë pasionin, ndërsa falë bashkëpunimit dhe harmonisë në një grup njerëzish me të njëjtin pasion, kapërcehen pengesat. Vetëm kështu një projekt i përbashkët nuk falimenton asnjëherë. Mendoj që kjo është arsyja që ne vazhdojmë” përfundon Kadija.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)