Tragjedia sot në mëngjes në provincën e Ragusës. Barka kish ngecur në rërë, migrantët janë hedhur në ujë dhe janë mbytur
Romë, 30 shtator 2013 – Një tragjedi e re. Trembëdhjetë persona kanë vdekur të mbytur në det përballë plazhit të Sampierit në Scicli të provincës së Ragusës.
Rreth 250 migrantë po përpiqeshin të arrinin me not në breg, pasi ishin hedhur në ujë nga një barkë e ngecur në rërë. Por trembëdhjetë nuk u bënë dot ballë dallgëve.
Kanë qenë turistët ata që dhanë alarmin, forcat e rendit kanë rekuperuar trupat e paejetë dhe vazhdojnë kërkimet ndonjë viktime tjetër të mundshme. Ndërkaq shumë nga migrantët janë larguar palënë gjurmë, janë ndaluar shtatëdhjetë persona të sapozbarkuar, mes të cilëve edhe dy skafistët. Mes personave të ndaluar nga policia edhe 20 fëmijë e një grua shtatzënë në gjendje të rëndë shëndetësore e dërguar menjëherë në spitalin e Modicas.