in

U përtërihet kontrata 650 punonjësve të përkohshëm të imigracionit

Përtërihen për një vit kontratat e 650 punonjësve me kohë të kufizuar të ministrisë së Brendshme, të domosdoshëm për ecurinë e sporteleve unike dhe të zyrave të imigracionit të kuesturave

Romë, 3 janar 2011 – Në fund të dhjetorit, papritur, qeveria autorizoi përtëritjen e kontratave të tyre për gjithë 2011-tën dhe ka livruar 20 milionë euro për rrogat. Dekreti 225 i njohur me emrin “milleproroghe” (njëmijë shtyrje, që qeveria miraton thuajse rregullisht çdo fundviti), i botuar në Gazetën Zyrtare më 29 dhjetor 2010, parashikon mes të tjerash edhe përtëritjen për një tjetër vit të kontratave të 650 punonjësve me kohë të kufizuar të ministrisë së Brendshme. Praktikisht dekreti autorizon ministrinë të përtërijë për një vit kontratat e përkohshme të punonjësve që kishte punësuar në vitin 2008 për të përforcuar personelin e sporteleve unike të imigracionit të prefekturave dhe të zyrave për të huajt të kuesturave.

Qeveria ishte e detyruar të përtërinte kontratat sepse këta punonjës sigurojnë mbarëvajtjen e zyrave që merren me lëshimin e përtëritjen e lejeqëndrimeve, autorizimet për bashkimet familjare, për flukset dhe legalizimet. Përpunojnë qindra mijëra praktika dhe mbajnë marrëdhëniet me publikun. Pa ta Kuesturat dhe Prefekturat do të ndaleshin dhe këtë do ta paguanin imigrantët dhe punëdhënësit e tyre. Por përtëritja e vendosur nga qeveria nuk ndal protestat e 650 punonjësve: pas shumë vitesh pune kërkojnë të firmosin më në fund një kontratë për kohë të pakufizuar.

Sipas deklarimeve të ministrit të Brendshëm Maroni, rezultatet e arritura gjatë këtyre vjetëve, falë edhe punës së këtyre punonjësve, dëshmojnë këtë gjë: në vitin 2009 janë lëshuar 242.000 leje qëndrimi dhe janë përtërirë 528.000, kundrejt, përkatësisht, 169.000 dhe 386.000 të vitit 2008.

Nga 1 janari 2010 deri më 15 dhjetor 2010 janë përmbyllur pozitivisht 1.347.779 praktika dhe janë hedhur poshtë 4.640 të tjera. Praktikisht gjatë vitit të shkuar janë mbyllur 80% e praktikave të paraqitura dhe për një kohë mesatare të shqyrtimit prej 40 ditësh.

Politika shqiptare nëpër datat e vitit 2010

Flukset 2010: Procedura