in

Pesëmbëdhjetë vjet “Bota Shqiptare”

Më 26 qershor 1999 doli numri i parë i Botës Shqiptare. Nga ajo datë gazeta ka dalë rregullisht për këta 15 vjet falë punës së themeluesit të saj, Roland Sejko, të redaksisë dhe bashkëpunëtorëve të shumtë që gazeta ka pasur në periudha të caktuara gjatë këtyre viteve si Ardian Vehbiu, Rando Devole, Elvira Dones, Pëllumb Kulla, Aurel Plasari, Ardian Ndreca, Eugjen Merlika, Massimo Canario, Lekë Sokoli, Giovanni Armillotta, Giuseppe Chimisso, Doris Bytyçi Cerga, Francesca Niccolai, Marjola Rukaj, Arben Marku, Ilirjana Stringa, Teuta Meçi, Albana Temali, Angelo Ravaglia, Irida Cami, Keti Biçoku.
Bota Shqiptare vazhdon të dalë rregullisht në pikëshitjet e shtypit të huaj e për këtë një falënderim i veçantë u shkon edhe lexuesve të gazetës që e kanë ndjekur dhe mbështetur e, pse jo, edhe të gjithë insercionistëve, që kanë mundësuar pavarësinë financiare dhe editoriale të saj.
Më 26 qershor 1999, kur kanalet televizive digjitale e mediat elektronike nuk kishin përhapjen e sotme, shkruanim “gazeta lind për të ofruar atë që besojmë se mungon në Itali: një zë shqiptar mbi Italinë e botën”. E këtë qëllim gazeta ka ruajtur në vite, edhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë.
Në numrin e parë të gazetës kishim bekimin e Ismail Kadaresë, penës më të rëndësishme të letrave shqiptare (urojmë ta kemi merituar bekimin e tij), që botojmë në vijim.
redaksia

Udhë të mbarë “Bota Shqiptare”

nga Ismail Kadare

Ndonëse fjalët që përdoren në raste urimesh tingëllojnë si të detyruara, them me gjithë zemër se nisma juaj mbi hapjen e një gazete në gjuhën shqipe për shqiptarët në Itali, është vërtet për t’u lavdëruar. Është për t’u lavdëruar ngaqë është e nevojshme. Mungon një zë që t’u japë shqiptarëve dijeni mbi sa ndodh në Shqipëri e në botë, mungon një zë i tyre, që t’u tregojë lajmin dhe pikëvështrimet ndryshe nga logjika e propagandës që i rrethon. Në disa vende, dhe fatkeqësisht një nga këto vende është Italia, deri edhe kur shqiptarët masakroheshin në Kosovë, kam vërejtur shenja të një fushate propagandistike kundër shqiptarëve. Natyrisht, vetë shqiptarët bëhen në disa raste shkas i kësaj propagande pasi ne nuk jemi ëngjëj, kemi gjithë të mirat dhe të këqijat që ka çdo popull, por sulmin e disahershëm antishqiptar në mediat italiane mund ta quaj të tepruar, imoral. Opinioni publik italian është influencuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga kjo propagandë dhe kjo u ka shkaktuar italianëve një humbje ndërgjegjeje. Italia ka bërë dhunë ndaj popullit shqiptar dhe, kur ke bërë dhunë ndaj një populli, duhet të tregohesh më i kujdesshëm me të. Është e dhimbshme t’a thuash për Italinë, por kjo tregon mungesë qytetërimi. Mungesës së qytetërimit mund t’i përgjigjesh me qytetërim. Dhe një gazetë ndihmon që kjo të arrihet.

Mediat perëndimore kanë kaluar në disa faza të pasqyrimit të Shqipërisë së pasluftës. Faza e shpërfilljes, para vitit 1990, ku na kishin fshirë edhe nga harta e parashikimit të motit në emisionet televizive; faza e demonizimit, pas dyndjes së shqiptarëve në perëndim, ku dukej sikur gjithë të këqijat e kësaj bote nuk ekzistonin para ardhjes së shqiptarëve; dhe faza e muajve të fundit, kur, të informuar, ata zbuluan se shqiptarët ishin një popull i vuajtur dhe i martirizuar me një dinjitet dhe bujari të pashembullt. Ka mundësi të vazhdojë sërish demonizimi në media, ka mundësi të zërë fill edhe harresa. Nëse ju, shqiptarët në Itali, arrini t’u tregoni të tjerëve, se ekzistoni, se jeni, ashtu si edhe bashkësitë e tjera të huaja në Itali, kjo do të kontribuojë edhe për të mos rënë në harresë, edhe për të ngritur zërin nëse ju godasin pa të drejtë. “Bota Shqiptare” duhet të arrijë t’u kujtojë edhe vetë shqiptarëve se ata nuk vijnë nga një vend prej të cilit duhet të turpërohen. Edhe ne vetë kemi nevojë të zbulojmë njëri tjetrin, por duke hapur sytë për të mos rënë në budallallëkun ballkanas të glorifikimit të kotë dhe të pakuptimtë. Fjala kyç është “objektivitet”.

Shtypi shqiptar i sotëm e kalon objektivitetin ose mungesën e kombtarizmit, dhe kalon në antishqiptarizëm. Për t’u bërë sa më “modernë”, disa pseudointelektualë tallen me patriotizmin folklorik shqiptar. Njerëz që vuajnë nga komplekset kujtojnë se ngrihen mbi vendin e tyre kur i bien me këmbë dhe e shajnë. Je i lirë të mos e duash vendin tënd, por jo të tallesh me të vetëm ngaqë dikur i përkisje. Nuk kërkohet patriotizëm (meqë kjo fjalë i acaron disa njerëz), por besnikëri ndaj vendit. Besnikëria është ndjenja më naturale dhe më e shëndetshme e njeriut. Njeriu humbet nëse nuk ruan më lidhjet me çfarë deri dje ishte jeta e tij. Mund të ketë shumë njerëz që sapo largohen nga Shqipëria dhe arrijnë të krijojnë një jetë të re në dhè të huaj, shkëputen tërësisht prej vendit të tyre. Ata njerëz nuk arrijnë të kuptojnë se po humbasin një pjesë të madhe të jetës së tyre, po humbasin identitetin e vet, po shndërrohen në njerëz pa atdhe. Nuk fitojnë asgjë, veçse humbasin, bëhen më të zbehtë si njerëz. Nuk mund të konsiderohemi të pranguar nga vendi ynë, por as mund t’a këpusim lidhjen e natyrshme që ekziston. Shpesh kjo këputje interpretohet si shenjë integrimin në shoqërinë italiane. Nëse dikush të thotë të harrosh vendin tënd për t’u ndjerë “si në shtëpinë tënde” në Itali, ai po të fsheh një dozë racizmi. Kërkimi me çdo kusht i integrimit, vënia në pah e të integruarve ku me integrim nënkuptohet një jetë normale, një punë normale, fsheh një dozë racizmi. Është si të thuash se shqiptarët janë zbutur,nuk janë më njerëz të egjër, janë alteruar e janë bërë italianë, nuk janë më shqiptarë. Por shqiptarët nuk kanë fanatizma që të bien ndesh me kulturën dhe mënyrën e jetesës italiane, nuk kanë zakone të frikshëm, nuk kanë gjëra që duhet t’i harrojnë në emër të qytetërimit italian. Shqiptarët janë popull normal, nuk kanë nevojë për sforcime, nuk duhet të flakin diçka për të pranuar një tjetër. Dhe gazeta duhet të ndihmojë për t’i çliruar shqiptarët nga komplekset e kota që u krijon propaganda. “Bota Shqiptare” duhet të jetë e natyrshme. Uroj që shqiptari, kur ta marrë e t’a lexojë në gjuhën e vet duke pirë kafenë e mëngjesit të së dielës, të ndjejë një ngrohtësi, të mos ndjehet i vetmuar e i shkëputur nga vendi i tij, t’i ndjejë brigjet e detit më pak të largët. Nëse arrin të japë këtë ndjenjë naturale, gazeta juaj ka arritur qëllimin e vet. Ju uroj udhë të mbarë.

ISMAIL KADARE

Artikulli është botuar në numrin e parë të gazetës Bota Shqiptare më 26/06/1999

Numri i parë i gazetës:

 

 

 

 

 

 

Emigracion klandestin nga Shqipëria në Angli. 13 arrestime në Fiumicino

Atentat në Tiranë, vritet Artan Santo