in

Udhëtime me avion. Sa bagazhe mund të marrim me vete?

Në udhëtimet për dhe nga Rinasi me një avion të linjës ajrore Alitalia, duhet mbajtur parasysh që në biletën për klasën ekonomike përfshihet një sasi e kufizuar bagazhesh, qoftë si peshë e qoftë si sasi valixhesh. Edhe Belle Air ka ndryshuar peshën e bagazhit të lejuar në avion, duke rritur peshën e lejueshme falas qoftë për bagazhin e dorës qoftë për atë të stivës

Edhe ajo që konsiderohet kompania e parë shqiptare low-cost, Belle Air, që tashmë zbret në mëse 20 aeroporte italiane, kohët e fundit ka ndryshuar parametrat për bagazhet e lejuara në bord, por kjo në të mirë të pasagjerit. Pesha e lejuar nuk është më 15 kg për çdo pasagjer, por 20 kg, të sistemuara maksimumi në dy bagazhe. Nëse kjo peshë kapërcehet, për çdo kg më shumë pasagjeri duhet të paguajë jo më 5, por 8 euro. Shuma e përmasave të çdo bagazhi që ngarkohet në avion i regjistruar, d.m.th. që dorëzohet në sportelin e pranimit (check-in), nuk duhet të kapërcejë 160 cm (gjatësi + lartësi+ gjerësi). Pra kujdes jo vetëm tek pesha por edhe tek përmasat e bagazheve, megjithëse pesha mbetet gjithnjë elementi më i rëndësishëm kur ai ngarkohet. Gjithsesi për arsye sigurie në punë pesha maksimale e një bagazhi të regjistruar nuk mund të kapërcejë 32 kg.  Në bordin e avionëve Belle Air mund të merret vetëm një bagazh dore me peshë deri në 6 kg. Për këtë bagazh, që nuk regjistrohet, përmasa e përgjithshme (gjatësi + lartësi+ gjerësi) nuk duhet t’i kapërcejë 100 cm.

Foshnjat deri në 24 muajsh nuk kanë të drejtë bagazhi, ndërsa fëmijët nga 2 deri në 12 vjeç, kanë të drejtë të ngarkojnë në avion bagazhe njëlloj si të rriturit.

Nëse përgatiteni të udhëtoni me kompaninë ajrore Alitalia, pajisuni me vizore dhe me peshore sa më të sakta. Ka ndryshuar rregullorja mbi peshën dhe përmasat e bagazheve që çdo pasagjer mund të transportojë të përfshirë në çmimin e biletës. Natyrisht këto ndryshime nuk janë reklamuar, por zënë vend me germa mikroskopike në një cep të kontratës që shoqëron biletën. E bëni mirë ta lexoni.

Sipas rregullave të reja mund të merret vetëm një bagazh dore me peshë deri në 8 kg që, duke përfshirë dorezat, xhepat anësorë dhe rrotat, të respektojë përmasat 55x25x35 cm.

Vështirësia, që mund të kthehet në një ushtrim jo të lehtë matematikor, qëndron tek pesha që çdo udhëtar ka të drejtë të transportojë në stivën e avionit pa paguar shuma shtesë. Në një udhëtim nga ose drejt Shqipërisë lejohet vetëm një valixhe me peshë maksimale prej 23 kg. Kjo vlen për të rriturit dhe për fëmijët nga 2 deri në 11 vjeç, ndërsa ata deri në 2 vjeç kanë të drejtë të kenë vetëm një bagazh me peshë 10 kg.

Në rast kapërcimi të këtij kufiri, nuk paguhen kilogramët në tepri, por një shifër fikse: 100 euro nëse pesha kapërcehet qoftë edhe me vetëm gjysmë kg. Por edhe nëse bagazhi juaj nuk i kalon 23 kg e lejuar por është i sistemuar në dy valixhe, përsëri keni hedhur një hap të gabuar. Edhe pse jeni brenda peshës së lejuar, për valixhen e dytë duhen paguar 55 euro, ndërsa për të tretën 200.

Por nuk “ndëshkohen” vetëm ata që marrin me vete bagazhe të rënda apo disa valixhe të vogla, por edhe ata që bagazhet i kanë voluminoze. Valixhet duhet të kenë përmasa të tilla në mënyrë që shuma e të triave (gjatësi + gjerësi + lartësi) të mos kapërcejë 158 centimetrat. Nëse përmasat e valixhes i kapërcejnë 158 cm, kompanisë i duhet paguar një shumë prej 70 eurosh. Dhe sidoqoftë duhet mbajtur parasysh që maksimumi i mundshëm i shumës së përmasave të valixhes nuk duhet të kapërcejë 203 cm, në të kundërt nuk do të mund ta merrni me vete.
E të gjitha këto pagesa nuk bëhen në pikat e check-in, por në sportelet ku prihen biletat ajrore të Alitalia-s, që shpesh në aeroportet e mëdha ndodhen në distanca të konsiderueshme.

Slogani i fundit i kompanisë Alitalia është “Duam t’ju mbajmë në lëvizje”. Me rregulloren e re për bagazhet synohet të mbahet në lëvizje trupi, truri dhe portofoli i pasagjerëve.

Ç’sende nuk mund të marr në kabinë?

Në bazë të një rregulloreje të BE-së, nga data 1 shkurt 2004, ndalohet në të gjitha fluturimet marrja e sendeve të mëposhtme: revole, armë zjarri e armë në përgjithësi, armë me majë dhe me teh të mprehtë dhe sende të tjera që presin si thika, gërshërë (edhe prerës thonjsh dhe çka duhet tjetër për mirëmbajtjen e thonjve); shkopinjtë e alpinizmi dhe skive, mjete që mund të shkaktojnë  plagosje si shkopinjtë e golfit, stekat e bilardos dhe kallamat e peshkimit; lëndë shpërthyese dhe substanca të djegshme; substanca kimike dhe helmuese që paraqesin rrezikshmëri për shëndetin e pasagjereve dhe të ekuipazhit ose dhe për sigurinë e përgjithshme të avionit dhe pasurive.

Përgatiti Irida Cami

Regjistrimi i popullsisë. Berisha: “Mjeranë, ata që kritikojnë ligjin”

Mbërrijnë pasaporta të reja në Romë e Milano