in

Udhëtimi europian i “Përbindëshit” të Kadaresë me familjen e Gjergj Vlashit

Dorëshkrimi i romanit “Përbindëshi” të Ismail Kadaresë është ruajtur për më shumë se 25 vjet në familjen e regjisorit, shkrimtarit dhe përkthyesit Gjergj Vlashi që e ka marrë nga Durrësi në Korunja të Spanjës e më 2 prill 2011 ia ka dorëzuar sërish autorit në Paris.

Dorëshkrimi i romanit “Përbindëshi” të Ismail Kadaresë është ruajtur për më shumë se 25 vjet në familjen e regjisorit, shkrimtarit dhe përkthyesit Gjergj Vlashi. Pasi është mbajtur fillimisht në Durrës dhe më pas në Korunjë në Spanjë, ai i është dorëzuar autorit para më shumë se një viti në Paris.

Faktin e ka bërë të njohur në fillim të kësaj jave shkrimtari i madh shqiptar, Kadare, i cili gjatë një interviste dhënë një gazete të përditshme falënderon publikisht mikun e tij të hershëm Gjergj Vlashi, për ruajtjen e dorëshkrimit.

“Nuk jam ndonjë maniak dorëshkrimesh, por as model i shpërfilljes ndaj tyre. Më kanë humbur disa  dorëshkrime, për të cilat nuk kam fajësuar askënd. Lidhur me dorëshkrimin e “Përbindëshit”, që e ka përmendur shtypi, ia kam dhënë unë vetë për ruajtje, mikut tim të hershëm, Gjergj Vlashit, të cilin përfitoj nga ky rast për ta falënderuar publikisht”, nënvizon Ismail Kadare, që këto ditë ka zënë faqet e shtypit shqiptar për kauzën e ngritur kundër Nexhmije Hoxhës që kjo e fundit t’i dorëzojë dorëshkrimin e “Dimrit të vetmisë së madhe” që mban padrejtësisht.

Regjisori i mirënjohur Gjergj Vlashi, kujton mesin e viteve 1980, kur Kadare në shtëpinë e tij në Tiranë përpiqej të krijonte hapësira për librat e ardhshëm. Isha për vizitë te Kadaretë, tregon Gjergj Vlashi, “dhe nga përvoja personale e dija se sa pak vend kishim në shtëpi ne që merreshim me librat”.

“Ismaili kishte nxjerrë disa dorëshkrime dhe mes tyre “Përbindëshin”, të cilin e kisha lexuar të botuar në revistën “Nëntori” gati 20 vjet më parë. Ishte një marrëveshje gati e heshtur dhe në dosjen me fletët e shkruara, bashkë me “Përbindëshin” ndodheshin edhe dorëshkrime tregimesh dhe poezish, që siç dihet janë më të rralla në krijimtarinë e Kadaresë”, vijon Gjergj Vlashi.

Për vite me radhë dorëshkrimet e autorit më të madh shqiptar, i cili botohej nëpër Evropë dhe në fushata promovimesh ndodhte të anatemohej në atdhe, janë ruajtur në bibliotekën e shtëpisë së Gjergj Vlashit në Durrës, saktësisht në pjesën e ‘ndaluar’ të saj, ku, siç dëshmon Floriani, djali i dytë i regjisorit, bashkë me to, larg syve të kuriozëve ruhej edhe Bibla.

“Ishte kënaqësi e madhe, por në të njëjtën kohë edhe përgjegjësi, të kishe dorëshkrimet e një autori dhe miku si Kadare”, shprehet Gjergj Vlashi, një çerek shekulli pasi mori përsipër barrën të mbante në shtëpi dorëshkrimin e një romani, i cili u hoq nga qarkullimi gati 50 vjet më parë. Gjërat u komplikuan më shumë, kur pas largimit demostrativ antikomunist të familjes Kadare nga Shqipëria dikush në rrethin e largët të miqve më kujtoi se në shtëpi unë mbaja dorëshkrimet e autorit disident, kujton regjisori durrsak, duke shtuar: “Ishin kohë të tjera dhe rreziku ishte i pranishëm”.

Gjergj Vlashi ka vendosur ta sigurojë dorëshkrimin në një mënyrë tjetër, menjëherë pas fillimit të erës demokratike.

Djali i tij, Floriani, me profesion violinist, po shkonte në Spanjë për të punuar dhe jetuar në Korunja, në skajin më veriperëndimor të gadishullit Iberik. Atje dorëshkrimi i “Përbindëshit” do të ishte më i sigurtë.

“Kur erdha në Spanjë në vitin 1992, mora me vete shumë gjëra që i kisha për zemër; disa piktura, orën e vjetër të murit, radion gjermane, hapësen e verërave që kish përdorur gjyshi, disa libra të fëmijërisë, etj”, kujton instrumentisti, që në atë kohë mbushte 30 vjeç.

Ndër to ishte edhe një dosje e kuqerremtemë, doreshkrimi i “Perbindeshit” të Ismail Kadaresë, thotë Flori. “E dija se im atë, prej vitesh e kishte ruajtur me shumë kujdes dorëshkrimin e njërit prej librave më të kritikuar të çensurës komuniste. Ishte në bibliotekën e shtëpisë, në pjesën e “librave të ndaluar”, ku ndër të tjera ishte edhe një botim i vjetër i Biblës”, tregon Floriani.

Vlashi mendon se përzgjedhja e “librave të ndaluar” të bibliotekës për në Spanjë lidhej me influencën e madhe që ato kishin patur në formimin e tij.

Dorëshkrimi i “Përbindëshit” ndërroi banesë, duke u vendosur tashmë lirshëm në bibliotekën e njërit prej pinjollëve të Gjergj Vlashit, në Korunja të Spanjës, disa mijra km larg Tiranës dhe Durrësit, prej nga ku filloi edhe udhëtimi i tij.

“Ismaili më telefonoi në mars të vitit të kaluar”, tregon Flori, pjesën e fundit të sagës së dorëshkrimit. Biseduam për kthimin e dorëshkrimit.

“Megjithëse pranova menjëherë, brenda meje ndjeva dhimbje. Njeriu është i çuditshëm. Krijon disa lidhje aq të forta sentimentale, me sende, me vende, me tinguj apo aroma, gati si me njerëzit, pa e ditur kurrë arsyen e vërtetë”, thotë Vlashi i ri.

Më 2 prill të vitit 2011 bashkëshortët Florian dhe Rediana Vlashi, së bashku me “Përbindëshin” kanë fluturuar nga Korunja drejt Parisit. Në atë dosje me fletët e shkruara me laps ishte romani më i guximshëm e më modern shqiptar i shkruar në shekullin e 20-të.

Më pas Floriani kujton bisedën në shtëpinë e Kadaresë: “Ismaili, pasi na falenderoi mjaft ngrohtë, filloi të shfletonte me kujdes faqet e verdha të doreshkrimit. Dukej i qetë, megjithëse vura re që dora i dridhej pak. Ishte i emocionuar. Unë po ashtu, por për arsyen e kundërt”, kujton Florian Vlashi ditën e dorëzimit të dorëshkrimit te autori i tij, Ismail Kadare. “Përbindshi”, me lëvizjen Durrës – La Coruña – Paris – Tiranë, krijonte kështu një trekëndësh gjigant…si kodet misterioze në “librat e ndaluar”, e mbyll tregimin e tij Florian Vlashi, djali i regjisorit, shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur Gjergj Vlashi, biri dhe babai që ruajtën për më shumë se 25 vjet dorëshkrimin e veprës “Përbindëshi” të Ismail Kadaresë.

Gëzim Kabashi, ATSh

Ndalohen në Newcastle të Britanisë dy shqiptarë me karta identiteti italiane të rreme

Kam kërkuar pasaportën e re në Konsullatë e kam kuponin e aplikimit. A mund të shkoj në Shqipëri?