Pas një grindjeje i ka rënë disa herë me thikë deri sa ka vdekur. Në shtëpi edhe vajzat e vogla të çiftit
Romë, 19 qershor 2013 – Zihet me të shoqen dhe i merr jetën. Një rast i ri i dhunës në familje, këtë radhë ka si viktimë 33 vjeçaren Irma Hadaj, nënë e dy vajzave të vogla që është therur nga i shoqi mbrëmë në darkë në San Giovanni al Natisone, një fshat i vogël në provincën e Udines.
Një grindje në familje mes burrit e gruas ka përfunduar mbrëmë në mënyrën më të keqe të mundshme. I nxehur keqas, Lulzim Hadaj 36 vjeç ka marrë një thikë në kuzhinë dhe i është vërsulur të shoqes duke e qëlluar shumë herë me gjithë fuqinë e tij. E gjithë kjo ka ndodhur përpara syve të dy vajzave të vogla të çiftit njëra 8 e tjetra 10 vjeçe, të parat që kanë dhënë alarmin duke iu drejtuar një fqinji. Ky ka parë skenën e tmerrshme dhe ka lajmëruar menjëherë policinë. Edhe vetë xhelati i gruas, kur ka kuptuar ç’ka bërë, ka telefonuar Karabinierët. Forcat e rendit kanë gjetur gruan pa jetë në një pellg me gjak e sipër saj të shoqin-xhelat në gjendje shoku.
Burime nga Kuestura e Udines kanë thënë sot në mëngjes për Adnkronos se Lulzim Hadaj në vitin 2012 ishte dënuar pikërisht për keqtrajtime në familje, që kishin ngjarë në vitet 2003-2010. Pikërisht e shoqja e kish denoncuar asokohe por drejtësia e kish dënuar me vetëm nëntë muaj burg, dënim i pezulluar me kusht.
Vetëm në qershor, kronikat italiane flasin për tre raste të ndryshme grash të keqtrajtuara nga burrat, bashkëshortë apo të njohur:
Lufton për jetë a vdekje 24-vjeçarja e rrahur egërsisht dhe e hedhur në plehra
Lecco. Keqtrajton të shoqen arrestohet 48-vjeçari
Rreh të shoqen me të bijën foshnje në krah. Arrestohet 32-vjeçari
Shqiptari i Italisë