in

“Unë votoj”. Shoqatat shqiptare kërkojnë të drejtën e votës

Më 2 qershor përfaqësues shoqatash kanë organizuar në Parma një tavolinë të rrumbullakët me temë “E drejta e votës dhe qytetaria aktive”. Nënshkruajnë një marrëveshje me të cilën angazhohen për bashkëpunim mes tyre, dhe për t’iu imponuar qeverisë dhe kuvendit të ketë në qendër të vëmendjes edhe atë pjesë të mirë të popullsisë që nuk jeton në Shqipëri. Ndërkaq çojnë përpara nismën “Unë votoj”: organizojnë simulim zgjedhjesh më 23 qershor dhe përgatisin një peticion për mundësimin e ushtrimit të të drejtës së votës që mund të nënshkruhet online

Romë, 17 qershor 2013 – Sot shoqatat shqiptare apo italo-shqiptare në Itali janë konsoliduar e i vënë vetes objektiva të rinj e ambiciozë. Duan të zgjerojnë aktivitetet e tyre, të njihen, të bashkëpunojnë e të bashkërendisin punën, të gjitha këto me qëllim që të kenë një zë më të fortë e të jenë bashkëbisedues me peshë qoftë përballë institucioneve italiane, qoftë atyre shqiptare. Mbi këtë ide bashkëpunimi ka lindur në veri të Italisë Forumi FARE që bashkon disa shoqata të Emilia Romagnas. Kësaj teme iu kushtua në 19 mars një nga seksionet e konferencës së mbajtur në Romë, të organizuar nga Occhio Blu-Anna Cenerini Bova.

Një tjetër pikë mbi të cilat shoqatat kanë përqendruar vëmendjen e tyre, veçanërisht e ndier në këtë prag zgjedhjesh, është e drejta e votës së emigrantëve, pjesëmarrja aktive e tyre në jetën shoqërore e politike, qoftë në Shqipëri, qoftë në Itali.

Së fundi, mbi këto sfida, me nismë të shoqatës së studentëve të Bolonjës, USAB, janë organizuar disa takime. I pari më 6 prill në Firence, më pas më 22 prill në Livorno. Ndërsa më 2 qershor (në bashkëpunim me Scanderbeg, FARE dhe Tutti Insieme) u mbajt në Parma një tavolinë të rrumbullakët ku morën pjesë përfaqësues të 12 shoqatave, takim që u përkrah e u mbështet, këtë herë virtualisht, nga 30 të tjera. Të pranishëm ishin përfaqësues të USAB (Bolonjë), Scanderbeg (Parma), Tutti Insieme (Bologna), Forumi FARE, Skanderbeg (Fermo), UAMI (Milano), Iliria (Verona), Shqipëria (Livorno), Rilindja (Arezzo), Nënë Tereza (Ravenna), Miqësia (Rimini) dhe AssoAlbania (Toscana).

Pas diskutimesh mbi aktivitetin e deritanishëm e mbi mënyrat e mundshme të bashkëpunimit, u arrit në një dokument të përbashkët, një akt-marrëveshje që u nënshkrua nga të gjithë përfaqësuesit, me të cilën shoqatat angazhohen të bashkëpunojnë me njëra tjerën për t’iu imponuar qeverisë dhe kuvendit të ardhshëm shqiptar për një impenjim konkret për sigurimin e ushtrimit të të drejtës e votës së emigrantëve atje ku jetojnë; për nxitjen e kthimit të studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë shtetit dhe të emigrantëve në atdhe; për ngritjen e ministrisë së Emigracionit dhe të një instituti kombëtar për mbrojtjen e gjuhës shqipe dhe mësimin e saj nga fëmijët e të rinjtë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Lidhur me ushtrimin e të drejtës së votës, nënshkruesit e marrëveshjes shkojnë më tej e po përgatiten që më 23 qershor të ndërmarrin nismën demonstrative “Unë votoj” që parashikon dy faza. E para: “pranë selisë së çdo shoqate do të simulohen votimet dhe operacionet e zgjedhjeve në të cilat do të mund të marrin pjesë të gjithë shqiptarët në moshë madhore”. Ndërkaq po hartohet edhe “një letër ankesë me titull “Unë votoj” mbi të drejtën e votës, tekst që po diskutohet dhe miratohet nga të gjithë kryetarët e shoqatave nënshkrues të këtij akti. Kjo letër, shumë shpejt do të bëhet subjekt i një peticioni/mbledhje firmash online (në “change.org”), me qëllim mbledhjen e të paktën 100.000 firmave që në një moment të dytë do t’u dorëzohen të gjitha organeve/institucioneve kombëtare shqiptare, institucioneve italiane dhe atyre evropiane”, siç lexohet në akt-marrëveshje.

Praktikisht, të dielën e ardhshme simbolikisht do të votohet në Bolonjë, Parma, Arezzo, Fermo, Firence, Milano, Torino, Ferrara, Pistoia, Rimini, Trieste Ravenna etj. Çfarë do të bëhet praktikisht? “Shoqatat do të simulojnë atë që ndodh në një qendër votimi – tregon për Shqiptariiitalise.com Marselino Troshani, USAB, një nga promovuesit e iniciativës – do të jenë të pranishëm komisionerët, do të ketë kuti votimi në të cilat do të ftohen personat të hedhin një fletë votimi të bardhë në shenjë proteste”. Informacione më të detajuara mbi adresat e “qendrave të votimit” po publikohen pak nga pak në faqen facebook të aktivitetit “Unë votoj”.

“Unë votoj” është vetëm një nga nismat e fundit të shoqatave shqiptare, që në mëse 20 vjetëve emigracion, janë konsoliduar, janë zgjeruar e shtuar në numër dhe kanë rritur cilësinë e aktiviteteve të tyre. Falë shoqatave sot mund të flasim për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe për fëmijët, siç e bën Scanderbeg e Parmës prej disa vjetëve, hapjen për herë të parë të stendit shqiptar në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino, gjë që realizoi këtë vit Qendra e Kulturës shqiptare, apo javën e filmit shqiptar, siç organizoi Occhio Blu-Anna Cenerini Bova në zemër të Romës, por edhe për ndihmesë vullnetare të organizuar në çaste emergjence siç bëri verën e shkuar pas tërmetit shoqata Shqiponja e Reggio Emilias apo Skanderbeg e Fermos. Për të mos përmendur  dhjetëra prezantime të veçanta librash, mbrëmje muzikore, shfaqje filmash, konferenca e tavolina të rrumbullakëta.

Keti Biçoku

Lufton për jetë a vdekje 24-vjeçarja e rrahur egërsisht dhe e hedhur në plehra

Anija. L’ultimo giorno per poter scaricare il film su IPhone e IPad