Presidenti dekoron me urdhrin “Nderi i Kombit” Drita Pelinkun, Tinka Kurtin dhe Margatita Xhepën dhe me urdhrin “Mjeshtër i Madh” Edi Luarasin, Roza Anagnosti, Liljana Tesho, Llukan Bushi
Tiranë, 22 dhjetor 2011 – Aktoret Drita Pelinku, Tinka Kurti dhe Margatita Xhepa janë vlerësuar sot me Urdhrin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për kontributin e tyre në zhvillimin e teatrit dhe kinematografisë shqiptare.
Presidenti Topi ka dekoruar edhe aktoret Edi Luarasi dhe Roza Anagnosti me Urdhërin “Mjeshtër i Madh”, për kontributin e tyre në artin skenik dhe kinematografinë kombëtare dhe për karakteret e shumta artistika që kanë realizuar me mjeshtëri.
Urdhri “Mjeshtër i Madh” iu dha edhe Liljana Teshos (Kabo),piktore e grimit në shumë filma shqiptarë, dhe Llukan Bushit, një prej themeluesve të grimit artistik.
Në fjalën e tij, Presidenti Topi tha se nuk nderohen thjesht një grup artistësh, por një epokë kinematografike, që me veprat e saj ka lënë gjurmë të pashlyeshme në traditën dhe kujtesën tonë kulturore dhe shoqërore. “Suksesi juaj është dëshmi e një tradite të fortë kinematografike, e një plejade të jashtëzakonshme artistësh që lindën dhe e ndërtuan karrierën e tyre në një kohë të vështirë për shoqërinë shqiptare”, tha Topi.
Presidenti Topi shprehu gjithashtu mirënjohje për këto figura të artit shqiptar që, sipas tij, “ushqyen në një epokë të errët shpirtin, ëndrrat, dëshirën e shqiptarëve për liri”.
Ceremonia e dekorimit të artistëve u zhvillua paraditen e sotme në Presidencë, ku të pranishëm ishin aktorë, regjisorë, kineastë, piktorë, skenografë, familjarë, etj.