in

Urime nga mbarë bota për 100 vjetorin e Pavarësisë

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, po merr këto orë urimet e krerëve të shteteve të ndryshme.

Një mesazh urimi i është përcjellë presidentit nga Papa Benedikti XVI. Në të thuhet “po ju shkruaj për të shprehur urimet e mia më të përzemërta, me rastin e Festës së Pavarësisë të Republikës së Shqipërisë. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, po dërgoj shumë të nderuarin Zef Gashi, Prift i Barit, si Përfaqësues të Selisë së Shenjtë, që sjell urimet e mia personale për ju dhe qytetarët e vendit tuaj. Nëpërmjet tij, jam i kënaqur t’ju përcjell sigurimet e lutjeve të mia që ju dhe qeveria juaj të kërkoni forcimin e paqes, drejtësisë dhe përparimit për vendin. Duke përsëritur urimet e mia, ju dërgoj për ju dhe popullit të vendit tuaj, bekimet më të shumta”.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, përmes një deklarate për shtyp, uroi shqiptarët për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë: “Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, unë jam e lumtur të përcjell urimet më të mira për popullin e Shqipërisë, ndërsa feston Ditën e Pavarësisë këtë 28 nëntor”, thuhet në deklaratë.
“Sot, Shqipëria është e gatshme të konsolidojë ato fitore dhe të integrohet në një Evropë që është e bashkuar, e lirë dhe në paqe. Por kjo kërkon miratimin e reformave të mbetura tani, dhe kryerjen e zgjedhjeve të lira dhe transparente parlamentare pranverën që vjen, forcimin më tej të demokracisë dhe modernizimin e Shqipërisë kështu që t’u përgjigjet nevojave të popullit shqiptar”, citohet deklarata e sekretares amerikane.
“Ndërsa ju festoni me familjet dhe të dashurit, – mbyllet deklarata – dijeni se në Shtetet e Bashkuara keni një partner dhe mik. Ne shikojmë përpara për një të ardhme të miqësisë dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm”.

Një mesazh urimi, Presidenti Nishani e ka marrë nga Presidenti i Greqisë, Karolos Papoulias, i cili shprehet se, “për këtë përvjetor, i cili përbën një pikë kthese në historinë e popullit mik shqiptar, ju shpreh urimet më të sinqerta dhe më të përzemërta personale, si dhe urimet e popullit grek”.
“Njëkohësisht, dëshiroj t’ju siguroj se do të vazhdojmë të punojmë për të çuar përpara marrëdhëniet tona dypalëshe, por edhe për të mbështetur përpjekjet që po bën vendi juaj në rrugën e tij për të bërë realitet perspektivën e vet evropiane”, thekson Papoulias.

Ndërsa Guvernatorja e Përgjithshme e Australisë, Quentin Bryce, u shpreh: “kam kënaqësinë t’ju përcjell juve, qeverisë dhe popullit shqiptar, urimet më të ngrohta, duke ju uruar 100-vjetorin e Pavarësisë”.
“Viti i kaluar ka qenë me shumë progrese në forcimin e marrëdhënieve tona. Komuniteti shqiptar i Australisë ka mbështetur këtë axhendë, ndërkohë që jam veçanërisht e gëzuar për vizitën në gusht të Ministrit të Jashtëm Panariti në Australi dhe Sekretarit të Parlamentit australian, Marles në Shqipëri në prill. Tashmë ne jemi duke zgjeruar marrëdhëniet tona në investime, turizëm, etj”, thekson Bryce.
Guvernatorja Bryce shprehet se, “qeveria australiane beson se sfidat globale si klima, zhvillimi ndërkombëtar dhe çarmatimi kërkojnë zgjidhje të gjera. Kombet e Bashkuara, si institucione shumëpalëshe sigurojnë mënyrat më të mira për zgjidhjet e duhura. Me këtë rast shpreh dhe besimin tim se marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona do të vazhdojnë të forcohen më tej”.

 

 

Napolitano uron popullin shqiptar për 100 vjetorin e pavarësisë

100 vjet pavarësi. Në shkollat e Kosovës ‘kronika e krijimit të shtetit shqiptar’