Nderimet e fundit për artisten e madhe shqiptare do të organizohen të shtunën në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit
Tiranë, 7 shkurt 2014 – Mbretëresha e muzikës shqiptare, Vaçe Zela, do të rikthehet për herë të fundit të shtunën paradite në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë. Lamtumira e fundit për zërin e artë të Shqipërisë, e cila ndërroi jetë një ditë më parë në Basel të Zvicrës, në moshën 75 vjeçare, do të organizohet nga Ministria e Kulturës nën kujdesin e Kryeministrit, Edi Rama.
Amaneti i fundit i Vaçe Zelës, artistes që më shumë se kushdo tjetër i ka kënduar Shqipërisë, ishte të prehej në atdhe. Sot në orën 14:00, arkivoli me trupin e pajetë të divës së këngës mbërriti në aeroportin e Prishtinës, ndoshta për t’u takuar për herë të fundit edhe me gjysmën tjetër të kombit.
Rreth orës 18:20 trupi i pajetë i artistes mbërriti në Tiranë. Në kryeqytet trupi është pritur me një ceremoni shtetërore, ku ishin mbledhur familjarët dhe shumë qytetarë. Qindra qytetarë janë të pranishëm në homazhe për të nderuar artisten e popullit. Homazhet po zhvillohen në qendrën kulturore që mban emrin e saj, në Lushnjë si dhe në Tiranë.
Nesër, ceremonia mortore do të nisë në orën 10:00 në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit dhe që për dy orë do të shoqërohet me tingujt e këngëve të intepretuara mjeshtërisht nga Vaçe Zela, por edhe me imazhe fotografike dhe video nga aktiviteti artistik dhe shoqëror i saj. Familjarë, miq, e personalitete të fushave të ndryshme pritet të ngjiten në skenë për të sjellë kujtimet e tyre me divën e muzikës shqiptare.
Në oraret e homazheve Ministria e Kulturës dhe bashkia e Lushnjës në nderim të veprës së artistes së madhe, Vaçe Zela do të ulin flamurin në gjysmështizë.
E lindur ne Lushnje në 7 prill te vitit 1939, Vaçe Zela spikati me zërin dhe inteligjencën e saj muzikore që në moshë të re për t’u shndërruar në zërin e Shqipërisë. Pjesëmarrëse në shumë nga festivalet e këngës në Radio-Televizionin shqiptar deri në vitin 1990, ajo mban rekordin e çmimeve të para dhe shumë prej këngëve të saj, si ‘Lule Shqipëri’, ‘Për Arbërine’, ‘E dua vendin tim’, “Valsi i Lumturisë”, vazhdojnë të jenë edhe sot himne të muzikës shqiptare.
Lexo edhe:
Lulet kanë ulur kokën në ballkonin e Vaçe Zelës
Zëri i pavdekshëm i Shqipërisë, ndahet nga jeta