in

Vajza që po humb nurin

Etyd për Tiranën

Të lashë si një vajzë e thjeshtë që zbukurohej dhe me një kordele në flokë a një varëse të hollë në qafë. Bije erë bli e në pranverë në qiellin tënd fluturonte si puhizë “pambuku” i plepave që vishte me dëborë artificiale rrëzat e trotuareve. Lëkura jote e mermertë, e përshkuar nga një gjerdan i blertë në mes, ishte paqja e syve tanë, çdo pasdite. Bulevardi ishte vendi ku merreshin vesh të rejat e ditës, ku çdo pasdite mblidheshim secili grup në vendin e vet. Kush tek një pishë pranë Hotel Dajtit, të tjerë tek Parku Rinia, tek bordurat a te shkallët e Akademisë së Arteve. Ai bulevard ishte Face Book-u ynë, vendi ku dëgjonim, flisnim, dashuronim e ndaheshim. Në fugat mes pllakave të hirta, fjalët tona kanë fjetur për dy dhjetëvjeçarë e mbi to ka mbirë një bar i hollë nostalgjie.

Me kalimin e viteve ti ndryshove Tiranë, siç ndryshojnë vajzat. Pa u bërë grua e nënë ama.

Në kohën e kioskave të para, që të kishin mbushur trupin me byca katrorë, i ngjaje një zhelamaneje. Me rininë të fshehur nën leckat gri të mjerimit. Do të kishte mjaftuar  një banjë e gjatë dhe erëmirë për të rizbuluar bukurinë e ndriçimin tënd.

Por pasi leve fytyrën me ngjyra nga më të pamendueshmet, sikur deshe të gëlltisje me zor tavolocën e një piktori, ty nuk të mjaftoi. Trupin e veshe me mermer, alumin, xhama e kristale, si një grua pa shije që mbulohet me xhevahire kallp. Sikur dò të ngrohesh nga rrezet e diellit që ato ngërthejnë dhe nuk i lënë më. Tani që dielli është me pikatore, i zënë nga ballkonet e taracat e shkallët e dritaret pa fund që duket sikur bëjnë garë me njëra tjetrën.

Të premten nuk kishte diell…

Në dy anët e bulevardit dy pallate të vëzhgojnë me sytë e tyre të xhamtë. Njëri me dritare të projektuara nga arkitektët italianë në kohën e Luftës. Tjetri është i tëri i veshur me xhama të rinj e vezullues, të montuar në duralumin. Është një prej xhevahireve kallpe që tani ti vë pa masë gjithandej.

Në mes ishe ti, Tiranë, e këndshmja dhe erëmira, ti e ëmbla dhe mirëpritësja, ti që na kënaq edhe me pak kur vijmë të të shohim. Ti po shkeleshe e sfiliteshe, po rënkojë nën hapat pa ritëm të protestuesve dhe nën marshimin e policëve me çizme.

Dikush po të zhvoshk. Fluturojnë pllakat e para të bulevardit. Frymëmarrja jote e rënduar nga dhuna u ndal kur dëgjove krismat. Në pritje të diçkaje. Një duhmë gjaku. Gjarpërim i currilave të heshtur,  si në një film pa zë. Në fugat mes pllakave të hirta tani po rrjedh gjak. Në këto fuga ku s’do të mund të mbijë më kurrë bari i hollë i harresës.

Irida Cami

La ragazza che perse il fascino

S’ka shtëpi për imigrantët në provincën e Brescias