Gjin Preducaj duket se e ka vrarë në gjumë ndërsa gruaja ishte me të birin 3 vjeç në krevat
Romë, 9 dhjetor 2015 – Me kalimin e orëve, dalin në dritë detaje mbi vrasjen në familje që këtë natë ka tronditur Gallaraten (provinca e Vareses). Mësohet se viktima quhet Mariana Preducaj, 31 vjeçe, dhe vrasësi është i shoqi Gjin Pruducaj, murator 42 vjeç. Çifti jeton prej mëse dhjetë vjetësh në Itali dhe ka dy fëmijë, një djalë 3 vjeç dhe një vajzë 11.
Rreth orës dy të natës, për arsye akoma jo të qarta, 42 vjeçari është ngritur nga krevati ku ndodhej dhe e shoqja dhe djali i vogël (e bija flinte në një dhomë tjetër), ka shkuar në kuzhinë ku ka marrë një thikë, është kthyer dhe ka therur të shoqen në fyt. Gruaja, sipas mjekëve ligjorë, duhet të ketë ndërruar jetë shumë shpejt për shkak të humbjes së madhe të gjakut.
Më pas burri ka lajmëruar një motër të tijën e kjo ka dhënë menjëherë alarmin.
Kur karabinierët dhe ekipi i ndihmës së shpejtë kanë mbërritur në vendngjarje, për gruan nuk mund të bëhej më asgjë. Ajo kishte vdekur e tashmë ishte në një pellg me gjak.
42 vjeçari ka pranuar menjëherë vrasjen. Tashmë është arrestuar e duhet të përgjigjet për vrasje të vullnetshme në rrethanat rënduese të lidhjes familjare me viktimën.
Karabinierët po marrin në pyetje të njohur, të afërm e fqinjët e çiftit. Askush nuk di të thotë pse ka ndodhur kjo tragjedi. Kush i njihte, thotë se nuk i kish dëgjuar të ziheshin dhe se ishin të edukuar, punëtorë që nuk kishin shkaktuar asnjëherë ndonjë problem.