Lamtumira e fundit Lekë Zogut
Të pranishëm në ceremoninë mortore të Leka Zogut janë personalitete të larta të shtetit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryetari i bashkise së Tiranës, Lulzim Basha , Kryetari i LSI-se , Ilir Meta, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deputetë të Kuvendit, diplomatë, familjarë, qytetarë nga Shqipëria dhe diaspora etj.
Trupi i Leka Zogut, i mbuluar me flamurin kombëtar është vendosur, pas homazheve që vazhduan për rreth 2 orë, në hollin e Kuvendit, është nxjerrë në oborrin e selisë së parlamentit, para përcjelljes në banesën e fundit. Katër përfaqësuesit e besimeve fetare në vend u lutën për shpirtin e Leka Zogut.
Pas lutjeve të përfaqësuesve të besimeve fetare, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha mbajti një fjalim lamtumire, përpara qindra të pranishmeve në oborrin e Kuvendit, ku u zhvilluan ritet e fundit para trupit të Leka Zogut. Basha e cilësoi Leka Zogun “një figurë themelore për aktet shtetformuese të Shqipërisë”.
Tiranë, 3 dhjetor 2011, Ora 9.00 – Ceremonia Shtetërore për të nderuar Leka Zogun që u nda nga jeta në 30 nëntor, do të zhvillohet sot në ora 10.00-12.00 në hollin e Kuvendit të Shqipërisë, ku Familja Mbretërore dhe të afërmit e saj do të presin ngushëllime.
Në ora 10:00, arkivoli me trupin e pajetë të Leka Zogut do vendoset në oborrin e Kuvendit, ku përfaqësuesit e feve Islame, Ortodokse, Katolike dhe Bektashiane do të bëjnë lutje për shpirtin e tij. Pas lutjeve do të ketë një fjalim lamtumire dhe nderimet ushtarake ceremoniale nga Garda e Republikës.
Pas homazheve, me uniformën e vet ushtarake, siç e la amanet, Leka Zogu do të prehet në Varrezat e Sharrës, pranë eshtrave të së ëmës, mbretëreshës Geraldinë dhe bashkëshortes së tij, Suzanë, e cila ndërroi jetë në vitin 2006.
Kryeministri Sali Berisha e shpalli të shtunën, 3 dhjetor, ditë zie kombëtare, për të nderuar e të birit të mbretit Zog, Leka.
Sot të gjithë flamujt kombëtarë do të jenë të ulur në gjysmë shtizë dhe në mesditë do të mbahet një minutë heshtje, në rrugë e kudo qoftë, sikundër parashikon edhe Protokolli i Shtetit për Ditën e Zisë Kombëtare, ndërsa RTVSH do të transmetojë muzikë funebre.
Qeveria ka ngritur Komisionin Shtetëror, të kryesuar nga zëvendëskryeministri Edmond Haxhinasto, dhe të përbërë nga Aldo Bumçi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; si dhe një përfaqësues i Oborrit Mbretëror Shqiptar; një përfaqësues i Protokollit të Shtetit; dhe një përfaqësues i protokollit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ceremonia zyrtare e homazheve për të nderuar Leka Zogun do të zhvillohet në hollin e Kuvendit të Shqipërisë, ndërkohë që i tërë ceremoniali do të përballohet nga fondet e buxhetit të vitit 2011 për MPJ-në.
Ndërkohë Policia e Tiranës, ka njoftuar se ka marrë masat e nevojshme lidhur me ceremoninë mortore Leka Zogut.
Ne deklaratë thuhet se “nga shërbimet e Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore më datë 3 Dhjetor, ora 08.00 deri në orën 13.00, do merren masat për bllokimin e trafikut dhe moslejimin e parkimit te mjeteve në segmentin rrugor përgjatë rrugës “Xhorxh W. Bush” nga sheshi “Sulejman Pasha” deri te Bulevardi “Zhan D’Ark”, Ura e rrugës së Elbasanit”.
Sipas policisë, e cila i referohet një shkrese të Drejtorisë së Protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, bëhet e ditur se më 3 Dhjetor 2011, ora 10.00- 12.00, organizohen homazhe në hollin qëndror të Kuvendit të Shqipërisë dhe zhvillohet ceremonia mortore për vdekjen e Leka Zogut dhe me pas trupi i tij do të përcillet për në banesën e fundit, duke u nisur nga Kuvendi i Shqiperisë- Bulevardi “Zhan D’Ark” – Bulevardi “Dëshmoret e Kombit”- Sheshi “Skenderbej”- Rruga e Kavajës- Varrezat e Sharrës.
Për ceremoninë e sotme zyrtare kanë konfirmuar praninë e tyre LT Prici Paul i Rumanisë, së bashku me Princeshën, Baroni Rafael Henri Estramant, si dhe përfaqësues nga Unioni Monarkist Italian.
Familja Zogu ka marrë me mijëra telegrame ngushëllimi, ndër të cilët ato të Madhërisë së Tij Juan Carlos, mbret i Spanjës dhe të Familjes Mbretërore Britanike, si dhe një telefonatë nga Familja Mbretërore Belge.
Pardje dhe dje, gjatë homazheve me rastin e ndarjes nga kjo jete të Leka Zogut, shprehën ngushëllimet e tyre mijëra qytetarë dhe personalitete të jetës shoqërore dhe politike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Çamëria, Mali i Zi, por edhe nga Evropa dhe Amerika.
Gjatë ditës së djeshme shprehën ngushëllimet e tyre Presidenti i Republikes, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ministrat Bujar Nishani, Genc Pollo, Aldo Bumçi, Fatmir Mediu, Ridvan Bode, Eduart Halimi, zv/ministrja e Punëve të Jashtme, Edit Harxhi, etj. Kryeministri i shprehu ngushëllimet një ditë më parë.
Po ashtu ngushëllimet e tyre paraqitën edhe kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Selim Muça; zotërinjtë Fatos Nano, Ilir Meta, Neritan Ceka; Kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Tasim Mema; Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj si dhe mjaft personalitete të tjera.
Lexo edhe: Ndërron jetë Leka Zogu