in

Vdekjet në punë. Drejtësi për Lurand Llanajn

Familjarët kërkojnë drejtësi: “Gurorja të përgjigjet për vdekjen e Lurandit. Mjaft më me vdekjet në kantieret e mermerit”

Lurand LlanajRoma, 18 prill 2016 – Ishte 6 shtator i vitit 2014 kur Lurand Llanaj, 32 vjeç, baba i një foshnjeje, shofer kamioni që transportonte mermer, humbi jetën në punë, në guroren e Loranos në Carrara. Të tilla vdekje i quajnë “të bardha” por sjellin veç zi, njësoj si çdo vdekje, në mos më keq.

Sot familjarët e tij kërkojnë drejtësi, për të e për shumë të tjerë që në gurore e në kantiere të tjera pune humbasin jetën. “Gurorja duhet të përgjigjet për vdekjen e Lurandit. Mjaft më me vdekje në kantieret e mermerit” thotë i vëllai për Il Tirreno.

“Titullari i një ndërmarrjeje duhet të garantojë kushtet e sigurisënë të gjitha vendet e punës, përfshirë rrugët, ku operojnë jo vetëm punonjësit e saj por edhe ata autonomë. Bazuar në këtë parim të parashikuar nga ligji, familjarët e Lurandit kanë ngritur një çështje gjyqësore civile në Massa kundër ndërmarrjes Escavazione Marmi Lorano II së Carraras – lexohet në komunikatën e Studios legale 3A, shoqëri e specializuar në vlerësimin e përgjegjësive penale e civile në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve, të cilës i është drejtuar familja.

Lurand Llanaj ishte 32 vjeç e jetonte në Itali prej kohësh me të gjithë familjarët e tij: prindër, vëllezër, të shoqen dhe të bijën (sot është dy vjeç). Kishte punuar gjithnjë në guroret e mermerit por prej pak kohësh nuk ishte më i punësuar por kish hapur aktivitet privat transporti e kish marrë një kredi për të blerë kamionin, mjetin e tij të punës. Mëngjesin e 6 shtatorit 2014, Llanaj bashkë me një koleg shkojnë në gurore e ndërsa bëjnë vetëm disa qindra metra rrugë në ngjitje të fortë,  për arsye të paqarta humbet kontrollin e kamionit e rrëshqet mbrapsht. Kolegu arrin të dalë nga kabina, Lurandi jo, dhe kamioni që përmbyset e zë poshtë dhe i shkakton vdekjen e menjëhershme.

Kur prokuroria kërkoi arkivimin e çështjes penale, familjarët e Llanajt iu drejtuan studios 3A që arriti të rihapë hetimet. “Kërkojmë që të dalë në shesh e vërteta mbi atë çka ndodhi e që të zbardhen përgjegjësitë për vdekjen e tim vëllai. – thotë Blerim Llanaj – Lurandi nuk ishte informuar që duhet të punonte në ato rrugë të ngushta e e të pjerrëta ku vetëm dhitë mund të shkojnë. Për aksidentet në punë, masat parandaluese janë shumë të rëndësishme. Vetëm një muaj e gjysmë pas vdekjes së tim vëllai, zgjeruan rrugët atje lart e nuk mund të pranoj që duhet të ndodhë më parë një fatkeqësi që të gjërat të bëhen. Ka shumë të rinj që punojnë në gurore e çdo ditë vënë kokën në rrezik: duhet menduar përpara e jo pasi ndodh diçka e rëndë e pakorrigjueshme”.

“Beteja e kësaj familjeje, që e përkrahëm menjëherë është betejë për qytetari – shton Ermes Trovò, president i Studios 3A – Nuk mund të pranojmë këtë vazhdimësi vdekjesh të bardha”.

Shkolla shqipe Scanderbeg në gjurmët shqiptare të Venecias

Mbyten anijet e migrantëve, “400 persona të zhdukur në Mesdhe”