Në moshën 94-vjeçare sot është ndarë nga jeta, senator i përjetshëm Giulio Andreotti. 7 herë kryeministër i vendit – edhe në vitin 1991, kur shqiptarët mbërritën në masë në brigjet e Puglies – 22 herë ministër, është ndër politikanët italinë më jetëgjatë
Romë 6 maj 2013 – Sot, rreth mesdite, ka vdekur Giulio Andreotti, 94 vjeç.
Senatori i përjetshëm, shtatë herë kryeministër i vendit (ishte kryeministër gjatë sekuestrimit të Aldo Moros, apo gjatë vitit 1991 kur mijëra shqiptarë mbërritën në brigjet e Puglias, në fillim në Brindisi e më pas në Bari), 22 herë minister (si për shembull, 8 herë ministër i Mbrojtjes, 5 herë ministër i Jashtëm, 2 herë ministër i Financave, 2 herë ministër i Industrisë, nga një herë ministër i Brendshëm, i Thesarit, i Kulturës, i Politikave Komunitare etj), Andreotti ishte një nga eksponentët më të rëndësishëm e më të votuar të partisë Democrazia Cristiana dhe ndër protagonistët e jetës politike italiane të gjysmës së dytë të shekullit të shkuar. Prej thuajse 70 vjetësh parlamentar. Karriera e tij politike nisi më 1946 kur falë Alcide De Gasperit u bë anëtar i Asamblesë kushtetuese. Më pas, nga viti 1948 deri më 1991 është zgjedhur gjithnjë deputet, e nga 1991 deri më sot ka qenë Senator i përjetshëm i emëruar nga ish presidenti Francesco Cossiga.
Për vite u përball me drejtësinë, që e akuzoi për bashkëpunim me mafien. Procesi gjyqësor u mbyll në vitin 2003 me pafajësinë për ç’kish ngjarë pas vitit 1980 dhe me parashkrimin e për ngjarjet e para atij viti. Praktikisht në sentencë shkruhej se Andreotti kish shkëmbyer favore me eksponentë mafiozë deri në vitin 1980 (por faktet ishin aq të vjetra sa vepra penale ishte parashkruar), dhe se pas atij viti Andreotti jo vetëm nuk kishte bashkëpunuar më me mafien por e kishte luftuar atë.
Gjatë jetës së tij në politikë, Andreotti është shquar për cinizëm dhe është identifikuar si emblemë e një fuqie që lind e ushqehet në zonat e errëta.
Besimtar, studioz, serioz do të mbahet mend edhe për ironinë, humorin e tij të hollë e për batuta të famshme si “Fuqia bren atë që nuk e ka” apo “të mendosh ket bën mëkat, por shpesh i bie më të”.
Red. Shqiptari i Italisë