Romë, 26 mars 2011 – I ndali zemra në Spitalian e Palermos, pas dhjetë ditësh agoni, shqiptarit George Semir, ky është emri, mbase i pasaktë i dhënë nga mediat italiane.
Në mbrëmjen e 16 marsit ai u lag me benzinë dhe i vuri flakën vetes në sheshin e qytezës së Vittoria-s, në provincën e Ragusa-s. Djegiet e thella në të gjithë trupin kishin shqetësuar menjëherë mjekët e spitalit të qytezës ku ai ishte çuar fillimisht, prandaj u vendos trasferimi i tij në spitalian e Palermos, i pajisur më mirë për të përballuar raste më të rënda.
Me sa ka arritur të thotë përpara se personeli shëndetësor t’i bënte qetësuesit, nga efekti i të cilëve ai nuk doli dot më, emigranti shqiptar ka thënë se akti i tij ishte protestë kundër pronarit që nuk e kishte paguar. Sipas tij bëhej fjalë për një punë në sera, por deri tani hetimët nuk kanë arritur të zbulojnë punëdhënësin e viktimës.
Pak ditë pas episodit, bashkëshortja e shqiptarit, bëri të ditur se kishte humbur prej kohësh kontaktet me të dhe se ai nuk dërgonte para as për të bijën. Ajo ka rrëfyer se nga dëshpërimi ai ishte munduar disa herë të vriste veten.