in

Veliaj: “Çështjen e emigracionit do ta trajtojmë në nivel ministror”

Për t’u siguruar të drejtën e votës atje ku janë, për t’u mundësuar fëmijëve të tyre mësimin e gjuhës shqipe, për të vënë TVSh2 në shërbim të emigrantëve

Romë, 8 korrik 2013 – Mazhoranca e re e dalë nga zgjedhjet 23 qershorit do të trajtojë çështjen e emigracionit “në nivel të një ministrie” të posaçme për emigrantët. E ka shpjeguar Erion Veliaj, deputet dhe sekretar në PS për emigracionin, që bashkë me Artur Qiricin, kryetar të degës së PS-së në Greqi dhe Edmond Kumarakun kryetar të degës për Italinë, ishin të ftuar në emisionin ‘Airport’ të drejtuar nga Mira Kazhani javën e shkuar.

“Duhet të gjejmë formën më të mirë organizative për të mundësuar tri gjëra parësore” – ka shpjeguar Veliaj.

“Në radhë të parë ne duhet të mendojmë seriozisht për votën e emigrantëve. Mundësia e parë është votimi me postë. Dikush mund të thotë: ata jetojnë jashtë, mund të mos vijnë kurrë në Shqipëri. Por vetëm fakti që emigrantët dërgojnë para, tregon se ata janë kontribuues në taksa. Sa herë një taksë, një qindarkë nga paratë e tyre përdoret tek ne, taksohet dhe shteti përfiton. Dhe ky është argumenti që përdoret kundër cinikëve për t’u dhënë atyre të drejtën e votës. Votimin me postë e bën Kosova, vetëm 5 vjet shtet; e bën Kroacia. Qëllimi i demokracisë është ta hapë sa më shumë lojën dhe të përfshijë sa më shumë aktorë në ngjarjen më të rëndësishme siç janë zgjedhjet njëherë në katër vjet”.

“Së dyti, mundësia e mësimdhënies së gjuhës shqipe. Kam parasysh se në emigrim ka shumë gra që sakrifikojnë kohën e familjet e tyre për t’u mësuar shqip fëmijëve të emigrantëve. Mund të bëjmë shumë në këtë drejtim: janë 35 mijë mësues në gjithë vendin, po pse të mos jenë 36 mijë ku një mijë të punojnë për fëmijët e shqiptarëve jashtë vendit”.

“Së treti, kanali i dytë i  TVSH-së, TVSH 2, mund e duhet të vihet në dispozicion të emigrantëve, të shërbejë për edukimin e fëmijëve jashtë vendit me programe të posaçme”.

Në emision u trajtuan edhe tema të rëndësishme që prekin jetën e emigrantëve si pensionet, marrëdhëniet e emigrantëve me ambasadat e konsullatat shqiptare, mbi të cilat koordinatorët e Partisë socialiste për Greqinë e Italinë dhe deputeti Veliaj dhanë zgjidhjet e tyre të mundshme.

Mund të ndiqni të gjithë emisionin këtu:

Forum immigrazione PD: Dieci proposte per il governo Letta

“Thesaret e Shqipërisë mbi Pentagram”, në Romë më 9 korrik