Arrin vota e Senatit për shfuqizimin e nënit 10-bis të tekstit unik mbi imigracionin, por vepra penale mbetet për përsëritësit. Por përpara se të hyjë në fuqi duhet pritur akoma miratimi i dhomës së Deputetëve dhe dekretet e qeverisë
Romë, 21 janar 2014 –Vepra penale e klandestinitetit merr rrugën e shfuqizimit.Por duhet të kalojë akoma kohë para se t’i japim lamtumirën e fundit.
Në sallën e Senatit, gjatë diskutimit të projektit të ligjit “delegues” (që i delegon qeverisë nxjerrjen e dekreteve përkatëse mbi objektin e vetë ligjit) mbi dënimet alternative me burgun, është miratuar me 182 vota në favor, 156 kundër dhe 7 abstenime, amendamenti i Qeverisë që shfuqizon krimin e klandestinitetit një nga lulet në syth të normave mbi imigracionin të nënshkruara nga qendra e djathtë.
Neni 2, paragrafi 3, germa b, i ligjit delegues që po votohet në Senat autorizon qeverinë “të shfuqizojë, duke e kthyer në shkelje administrative, veprën penale të parashikuar nga nëni 10-bis i tekstit unik mbi imigracionin dhe normat mbi statusin e të huajit të përfshira në dekretin legjislativ nr. 286 të 25 korrikut 1998, duke ruajtur karakterin penal për shkeljet e masave administrative të marra në këtë fushë”.
Praktikisht, siç ka shpjeguar në sallë nënsekretari i Drejtësisë Cosimo Ferri, dëbimi mbetet, por shfuqizohet hyrja dhe qëndrimi i parregullt në Itali. Për më tepër, do të vazhdojë të jetë vepër penale mosrespektimi i fletës së dëbimit apo rihyrja në Itali pas dëbimit, apo shkelja e dispozitave administrative kundër të parregulltve, si për shembull detyrimi i firmës në kuesturë apo dorëzimi i pasaportës.
I ardhur në fuqi në vitin 2009 me një të ashtuquajtur “paketë sigurie” të kërkuar me forcë nga qendra e djathtë (Populli i Lirive i Berlusconit dhe Lega e Bossit), vepra penale e klandestinitetit nuk çon në burg asnjë, por kthen në kriminelë ata që nuk kanë një leje qëndrimi dhe detyron gjykatat të hapin procese që mbyllen me masë dëbimi, pa asnjë garanci që riatdhesimi të bëhet efektivisht. Praktikisht arrihet i njëjti rezultat i dëbimit administrativ, që mbetet në fuqi.
Që kur ligji hyri në fuqi, PD dhe SEL u ngritën kundër veprës së re penale, por ajo po shfuqizohet falë një amendamenti të senatorëve të Lëvizjes 5 Yjet. Një amendament i kritikuar ashpër nga Beppe Grillo e Gianroberto Casaleggio, por i mbështetur nga mazhoranca e të regjistruarve në M5S që votuan në një referendum rrufe të hapur online nga lideri i lëvizjes.
Amendamenti i grillinëve kërkonte thjesht shfuqizimin e veprës penale të hyrjes dhe qëndrimit të parregullt. Qeveria, për të përmbushur kërkesat e Nuovo Centro Destra të Alfanos, ka parë të udhës të specifikojë, me një amendament tjetër të paraqitur sot në Senat, që mbetet në fuqi shkelja administrative dhe se shfuqizimi i veprës penale vlen vetëm për hyrjen e parë.
Vlen të kujtohet se i sotmi është vetëm hapi i parë. Për më tepër, projekti i ligjit ka pësuar modifikime në Senat ndaj duhet të kthehet sërish në Dhomën e Deputetëve për miratimin përfundimtar. E nëse në Dhomën e Deputetëve do të ketë modifikime të reja, teksti do të kthehet sërish në Senat.
Mbi të gjitha, duhet të mbahet parasysh që, edhe pas miratimit përfundimtar, është fjala për një ligj delegues. Në fakt, ajo çka u miratua sot është thjesht fakti që parlamenti i delegon qeverisë nxjerrjen e dekreteve legjislative për aktualizimin e normës. Sa kohë do t’i duhet? Shumë: deri në 18 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit delegues, pa llogaritur gjykimet që duhet të japë parlamenti mbi ato dekrete. Kohë që ndoshta qeveria aktuale nuk ka.
Elvio Pasca
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)