Romë, 16 mars 2011 – Është dhënë me shumë vonesë dhe nuk bëhet i ditur pothuajse asnjë detaj mbi vdekjen e një të burgosuri shqiptar 25-vjeçar në burgun e Parmës. Observatori i përhershëm mbi vdekjet në burg bën të ditur se më 12 mars, të premten e kaluar, i riu ka varur veten në një raft të zyrës së skedarit të cilën ai kishte arritur ta mbyllte me çelës. Viktima konsiderohej si “i besueshëm” dhe punonte pranë magazinës së burgut, një ndër të rrallët në Itali që nuk është i mbipopulluar. Megjithatë nuk merret vesh për ç’arsye kishte çelësat e zyrës, gjë rreptësisht e ndaluar për të dënuarit.
Me sa dihet, prej pak kohësh i riu shqiptar kishte marrë lajmin e rënies në komë të të atit pas një aksidenti në Shqipëri. Ka mundësi që vetëvrasja të jetë shkaktuar nga ky lajm.
Vetëvrasjet në burgjet italiane janë bërë një fenomen shumë shqetësues dhe i shpeshtë. Vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti kanë vrarë veten 12 të burgosur.