Vizita e Papa Françeskut ka sjellë në Shqipëri disa qindra gazetarë të 92 mediave të huaja, të cilët janë akredituar pranë Pallatit të Kongreseve, që është kthyer në një qendër të madhe mediatike. Në fakt, vizita e papa Françeskut në Shqipëri ka jehonë në mbarë botën, veçanërisht në Itali. Të gjitha vënë në dukje mesazhin universal të Papës: “Askush të mos përdorë Zotin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!”. Pa harruar faktin që në këtë shtegtim pastoral, kreu i Vatikanit nënvizoi harmoninë mes besimeve fetare në vendin e vogël ballkanik, shembull se bashkëjetesa mes komuniteteve është e mundshme dhe e frytshme.
ANSA – Bashkëjetesa paqësore mes besimeve fetare në Shqipëri është një shenjë e bukur për botën, deklaroi sot papa Françesku në përshëndetjen për gazetarët, ndërkohë që ishte në fluturim e sipër nga Roma për në Tiranë.
”Shqipëria është një vend që ka vuajtur shumë”, nënvizoi papa. ”Sidoqoftë, ajo arriti të gjejë paqen përmes besimeve të ndryshme. Dhe kjo është një shenjë e admirueshme për botën, për paqen dhe ekuilibrin në favor të qeverisjes”, theksoi papa Françesku.
RAI – Kanalet e ndryshme të televizionit publik italian po mbulojnë në të gjitha edicionet e lajmeve vizitën e Atit të Shenjtë në Tiranë. RaiNeës24 ka pasur lidhje të gjata të drejtpërdrejta nga mbërritja e Papës në Rinas, te takimi me Nishanin, gjatë shëtitjes së tij në bulevardin Dëshmorët e Kombit e gjatë meshës. edhe në faqet online të RAI-t, vizita është në plan të parë. Duke vënë theksin, jo vetëm në mesazhin mbi mospërdorimin e fesë si justifikim për luftë, por edhe në fjalët e Papës mbi Shqipërinë, “tokë martirësh, shembull për të gjithë se “bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme mes komunitetesh të besimeve të ndryshme fetare, jo vetëm që është e këshillueshme por është edhe e mundshme dhe e praktikueshme”.
CORRIERE DELLA SERA – E përditshmja italiane e ka në plan të parë në faqet e saj online lajmet mbi vizitën e Papës në Shqipëri. Për titull zgjedh një nga mesazhet e dhënë nga Papa për mbarë botën në këtë periudhë konfliktesh: “Të mos përdoret Zoti si mburojë, ekstremistët shtrembërojnë fenë”. Për të vënë më poshtë në dukje “Papa nderon një popull “Heronjsh e martirësh”, shembull “bashkëjetese paqësore mes besimeve fetare të ndryshme”:
LA REPUBBLICA – Thuajse me të njëjtin titull përcjell shkrimet mbi këtë temë në faqen e saj të parë edhe Repubblica: “Zoti nuk është mburojë, ekstremistët shtrembërojnë fenë”. Në brendësi të shkrimeve vihet theksi mbi faktin që kjo e sotmja në Tiranë është e para e Papës në një vend Evropian sepse është, thotë ai, “një vend që ka vuajtur shumë, por që më pas ia ka dalë të gjejë paqe mes dallimeve fetare”, dhe mbi thirrjen që Ati i Shenjtë u bën të rinjve: “Mos rendni pas parave”.
E përditshmja sjell në vëmendjen e lexuesve edhe mesazhin që presidenti Napolitano i ka dërguar Papës në vigjilje të udhëtimit në Shqipëri: “Vizita juaj është mbështetje për ata që duan dialogun”.
AFP – Papa Françesku mbërriti sot në Shqipëri për një vizitë njëditore, në këtë vend ballkanik që drejtohet nga një koalicion mes myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve.
Papa kërkon të paraqesë bashkekzistencën paqësore fetare në këtë vend si model edhe për evropianët. Avioni i Atit të Shenjtë mbërriti në aeroportin e kryeqytetit të Shqipërisë, ku Papa u prit nga kryeministri Edi Rama, një katolik edhe vetë ai.
Dhjetëra mijëra persona janë të pranishëm në qendër të Tiranës, në sheshin ”Nënë Tereza” ku Ati i Shenjtë do të mbajë një meshë.
LE FIGARO – Sapo mbërriti në Tiranë, Papa Françesku vlerësoi marrëdhëniet mes myslimanëve dhe të krishterëve. Tema e tolerancës mes feve do të jetë lajtmotivi i vizitës së parë në Evropë të papa Françeskut.
DEUTSCHE WELLE – Papa Françesku mbërriti sot në Shqipëri, në vizitën e dytë papnore në këtë vend, pas asaj të papa Gjon Palit II, në vitin 1992, një vit pas rënies së regjimit komunist në vendin ballkanik.
Masat e sigurisë për vizitën e papës janë tepër të larta, ndërkohë që Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka garantuar ruajtje maksimale me dislokimin e 2 500 policëve dhe 29 pika të kontrollit në kryeqytetin e vendit në Tiranë.