in

Vjehrra dhe mullixhinjtë

Nëse duhet të bëhemi “euroskeptikë” pas shtyrjes së statusit, atëherë le të na shërbejë ky moment për të ndryshuar më në fund qëndrimin në raport me vetveten. Korrupsionin nuk mund ta luftojmë se na e kërkon Europa që e shohim në dritë të syrit për një gjest aprovues
Nga Alqi Koçiko

“E di unë ç’duan këta të Brukselit. T’i fusim një të lidhur me Rusinë a me Kinën, apo me arabët, dhe të vijnë e të na kërkojnë pastaj!” Deklaratën e nervozuar ma bëri këtë javë një djalosh, student, me të cilin pas kalçetos ulemi për muhabet dhe për “shkëmbim pikëpamjesh”. E shoh gjithnjë e më të hasur këtë farë qëndrimi protestues mes të njohurve pas shtyrjes së statusit të vendit kandidat, prandaj dhe solla shembullin e mësipërm; e has në biseda të lira por edhe mes internautëve.

Mbase bashkëbiseduesit tim, frymëzimi për “t’ia futur një të lidhur” me vendet e mësipërme iu rifreskua nga ngjarjet më të fundit me Ukrainën, ku një marrëveshje e fuqishme financiare me sfond të padyshimtë politik me Rusinë, ishte përgjigjja që drejtuesit e shtetit ukrainas u dhanë protestave të forta pro integrimit europian në Kiev e gjetiu. Kjo zgjidhje sempliste për realitetin dhe problemet shqiptare, afërmendsh të bën të vësh buzën në gaz për naivitetin që përmban, por njëherësh duhet edhe të fillojë të na alarmojë nëse përhapet si qëndrim. Dhe kam përshtypjen se njëfarë “euroskepticizmi” pas episodit me statusin, nuk reflektohet vetëm mes të rinjve. Por çfarë botëkuptimi përmban në vetvete ky lloj qëndrimi?

Është e qartë se çfarë: Nënkupton që ne, statusin e vendit kandidat, apo në përgjithësi hapat integrues i pëlqejmë dhe duartrokasim vetëm me prapamendimin se paskëtaj do na vijnë paratë, financimet, ndihmat, fondet. Pastaj dimë ne se ç’bëjmë me to. Nëse për shumë arsye vonohemi apo na vonojnë, apo na rikthejnë për “në vjeshtë”, atëherë nervozohemi me vjehrrën tonë Europë (nuk kanë munguar evokimet e epiteteve të kahmotshme si psh, kurva e motit) dhe deklarojmë se do flemë me mullixhiun më të parë që na paraqitet. Është në thelb, edhe pas 23 vjetësh, i njëjti përfytyrim jo vetëm naiv, por edhe prej mistreci provincial i yni për Shqipërinë si gjithë Europa, në kuptimin e parave nëpër duar, makinave, diskove dhe veshjeve të modës; dhe jo për Shqipërinë si Europa e punës, shkollimit, shanseve të barabarta e barazisë përpara ligjit, shtetit ligjor e të së drejtës.

Mbase pas shtyrjes së statusit, është më e rëndësishme se kurrë që të bëhet e qartë kjo gjë, për të rinjtë e të vjetrit: Statusi kandidat apo edhe anëtarësimi i largët, nuk është si arritja e një niveli më të lartë në lojrat elektronike, pas të cilit ti fiton bonuse; nuk është pensioni i artë pas mundimeve të tanishme rinore, i cili do na mundësojë të dredhim zinxhirin teksa Brukseli na hedh tufa eurosh. Përkundrazi, është një ftesë për përsosje të mëtejshme (sa stonon ky term me realitetin tonë) të standardeve. Është thënë disa herë dhe në mënyra të ndryshme: Europa duhet ndërtuar këtu; dhe kur të arrijmë ato standarde që përfaqësojnë vendet e zhvilluara e demokratike, me gjasë nuk do jemi kaq entuziastë për anëtarësimin.

Është pra, shqetësuese kjo mënyrë të menduari që po ripërsëritet së fundi, për mënyrën sesi duhet ta ndërtojë të ardhmen ky vend. Dhe është e tillë, sepse politika dhe qeveritë shqiptare nuk kanë ditur të bëjnë me zhdërvjelltësi dhe llogari ekonomike as tjetrën; pra “t’ja fusin një të lidhur”, ose thënë ndryshe të shtojnë bashkëpunimin ekonomik me interes dypalësh, me ato vende që supozohet të jenë mullixhinjtë në fabulën e mësipërme: Jemi me shumë vonesë në tërheqjen e investimeve daç kineze, apo arabe apo vendeve të tjera. Të cilat, të jemi të qartë, nuk është se mezi ç’presin të shkëputemi nga pëqiri i Brukselit që të na mbulojnë me valutë të huaj.

Nëse duhet të ndriçohemi dhe të bëhemi “euroskeptikë” pas shtyrjes së statusit, atëherë le të na shërbejë ky moment për të filluar të ndryshojmë më në fund qëndrimin në raport me vetveten. Korrupsionin nuk mund ta luftojmë se na e kërkon Europa, kjo mësuese e rreptë dhe noprane që e shohim në dritë të syrit për një gjest aprovues; as çështjen e pronave, as drejtësinë e hallakatur apo borxhin publik etj, nuk i kemi të ndara ca si detyra klase, e ca si detyra shtëpie. Të gjitha janë tonat dhe për vete.

Është e vërtetë se, si vend i vogël dhe demokraci ende në shpërgënj, kemi nevojë për partnerë të besueshëm dhe aleatë strategjikë. Por që edhe ne të konsiderohemi strategjikë për këta aleatë (e në këtë pikëpamje, sot duhet ta quajmë veten fatlumë si asnjëherë në historinë tonë), le t’i kthejmë më në fund sytë nga vetja dhe t’i përvishemi punës. Kështu si kemi qenë deri tani, nuk i hyjmë në punë as vjehrrës, as mullixhinjve e as dreqit.

Revista KLAN

L’immigrazione e le due anime contrastanti del governo Letta

Pasaportat biometrike. Asgjësohen të prodhuarat gjatë 2011-tës që nuk janë tërhequr