Sot është kthyer në Shqipëri me velierën e tij, por për të ardhmen synon të krijojë një shoqatë të të pasionuarve pas velave që mund të jetë bërthama e një sporti të ri
Vlorë, 1 shtator 2010 – Kastriot Zilja, 44 vjeç e ndan kohën mes dy qyteteve në dy shtete në brigjet e Adriatikut, pasi në Vlorë, ku ka lindur, prodhon maska veneciane, që i shet në Venecia, (Itali). Dhe ashtu si dy qytetet ku jeton, mbetet i lidhur pazgjishmërisht me detin.
Pak ditë më parë, Kastrioti u kthye në Vlorë me një velierë, të cilën e ka ankoruar në portin e jahteve në Orikum. Thuajse çdo pasdite, ai lundron në hapësirën detare të gjirit të Vlorës, deri në Karaburun. “Është veliera e parë me pronar shqiptar”, thotë disi me humor Kastrioti.
Në fund të majit 1991, Kastrioti u largua drejt Italisë. Bashkë me dy shokë, Kastrioti gjeti një mënyrë origjinale për të realizuar ëndrrën që kishin dhe me gjashtë kamerdare të mëdha dhe disa dërrasa të fiksuara horizontalisht, mbi të cilat montuan një velë, u nisën për në anën tjetër të detit Adriatik. “Ishte një mjet primitiv, një lloj veliere me të cilën ndërmorëm aventurën drejt brigjeve italiane”, tregon Kastrioti. Pas gjashtë 6 ditësh dhe 5 netësh në det, erërat i çuan afër brigjeve të Greqisë, duke ia bërë dhe më të gjatë rrugën drejt Italisë, ku sosën me mundime. Me rezerva të pakta ushqimesh dhe sasi minimale uji, ata rrezikuan disa herë jetën mes dallgëve në det të hapur. “Konsumonim vetëm një tapë shisheje ujë në 12 orë, sa për të lagur buzët”, tregon sot Kastrioti.
Kjo ishte edhe shkolla e tij e parë në drejtim të velës, por jo e vetmja. Kur u vendos në Venecia, krahas të tjerash, ndoqi edhe disa kurse për aftësimin e drejtimit të një veliere ku u pajis dhe me diplomat përkatëse.
“Veliera është mjet i veçantë që të krijon një lidhje ndryshe me detin. Nuk është si jahti, motobarkat, apo anijet. Ajo kërkon, veç pasionit, edhe nuhatje, kërkon të bëhesh një me detin, ta ndiesh atë në çdo çast”, thotë Kastrioti. Veliera 5,5 metra e gjatë, me dy vela, njëra e montuar tek direku, tjetra te bashi dhe të dyja kanë funksionin dhe rolin e vet, që lidhen me drejtimin e velierës dhe orientimin sipas drejtimit të erës, që e mjaftueshme, me drejtim nga veriu, e shtyn mjetin me një shpejtësi prej rreth 5 milje në orë.
Për Kastriotin mbetet ëndërr futja masive e velave në Vlorë. Synon të krijojë një shoqatë të të pasionuarve pas velave dhe kjo, sipas tij, mund të jetë bërthama e një sporti, që mund të zgjerohet në të ardhmen. “Ja, e përfytyron gjirin e Vlorës të mbushur me veliera? Nuk ka gjë më të bukur, ku të rinj, apo edhe njerëz të moshave të tjera, të ushtrojnë këtë sport”, thotë ai.
Gjatë ditëve të qëndrimit në Vlorë, Kastrioti do të punojë për këtë ide, por do të vijojë dhe më pas, edhe pse koha do të jetë më e kufizuar për shkak të lëvizjeve për biznesin e tij. Kastrioti tregon se gjiri i Vlorës është mjaft i përshtatshëm për këtë lloj sporti, njëlloj sikurse dhe në Venecia. Prandaj nuk do të tërhiqet deri sa ta realizojë këtë projektide.