Ato ditë apokaliptike të eksodit biblik të të rinjve shqiptarë që kapërcyen Adriatikun atë verë të nxehtë të ’91 të largët, janë treguar e ritreguar shumë herë me ngjyrimet e panumërta emocionale, dhe vrullin e parrëfyeshëm të anktheve, pritmërive, e përjetimeve përvuajtëse të protagonistëve. Pikëpamja e atyre që i pritën deri tani ka qenë ndonjë raportim gazete përshkrues, e përmbledhës, shpesh herë në vija të trasha cinizmi e përgjithësimi. Për herë të parë mungesa plotësohet me dëshmitë e një prej protagonistëve të atyre ditëve, por që nuk ishte në bordin e atyre anijeve por në bankinën e portit ku ata do të zbarkonin.
nga Nicola Montano
Shokët e zyrës ishin të gjithë të zënë me kontrollet e pasagjerëve të mbërritur nga Greqia dhe nga Jugosllavia. Pashë përreth dhe vura re se ndihmës agjenti Giuseppe Laforgia ishte i lirë deri në ora 1.
“Do të vish me mua në mol të presim shqiptarët?” i thashë.
“Patjetër” mu përgjigj
Hipëm në një fiat Ritmo me targë mbuluese, e ngisja unë. Vapa e lagësht e padurueshme, robat na ngjiteshin në trup. Kur mbërritëm në mol, hipa mbi digë për të parë por nuk shquhej ende asgjë, për shkak të mjegullës së dendur. Papritur mu duk se pashë një hije në mes të detit. Ishte mjaft afër. Ndihej zhurma e motorëve. Ndërsa anijet afroheshin, arrija të shquaja më mirë.
Shtanga në vend, Pasquale kishte të drejtë: ishte e pamundur të thoshe sa ishin njerëzit në bordin e asaj anijeje. Njerëzit kishin zënë gjithçka. Verige njerëzish dukeshin sit ë varur nëpër seren. Mbeta duke e vështruar gojëhapur, ishte një shfaqje e jashtëzakonshme, e papërsëritshme për mua. Nuk mund të imagjinohej një gjë e tillë.
Anija ushtarake italiane pengonte pamjen e plotë të asaj skene. Vlora, lëkundej, nga një anë në tjetrën, lundronte ngadalë por me vendosmëri drejt hyrjes së portit. Anija Euro, ishte aty, përpiqej të ndiqte urdhrat e mara: ajo anije shqiptare nuk duhej të hynte në port. Komandanti kishte marrë urdhër të bindte shqiptarët se nuk duhet të hynin në port. Mundohej ta pengonte duke i lundruar “Vlorës” përreth, dukej sikur vallëzonte rreth saj. Motovedetat qëndronin në distancë sigurie për të mos penguar manovrat.
Komandanti i “Vlorës”,me sa dukej e dinte, se “Euro” nuk mund t’i pengonte hyrjen në port. Po të mos hapte zjarr apo ta çante me shpor. Po këto ishin mundësitë që anija ushtarake italiane kishte për ta ndaluar “Vlorën”. Po o Zot, si mund të qëllohej ajo anije? Ata njerëz të pambrojtur?
Pasi i telefonova sallës operative, në radio dëgjova komandantin e kapitanerisë që fliste me kapitenin e “Vlorës”.
“Kapiten qeveria italiane ka vendosur t’ju mohojë hyrjen në portin e Barit. Duhet të ktheheni në Shqipëri”.
“Nuk mund të më mohoni hyrjen. Ju duhet të dini se këtu ka njerëz pa ndjenja nga uria dhe nga etja. Ka fëmijë, gra shtatzëna dhe pleq që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Nëse nuk u jepet ujë, për pak orë do të fillojnë të vdesin. Në bord është një i plagosur rëndë, që do të vdesë nga humbja e gjakut”.
“Kapiten po ju përsëris se në Itali nuk mund të hyni. Duhet të ktheheni mbrapsht. Duhet të ktheheni në Shqipëri”.
“Nuk mund të kthehem në Shqipëri në këto kushte. Ka probleme me motorët. Nuk mund të bëj shmangie. Ekuipazhi është i sfilitur, motorët kanë nevojë për riparim. Këtu është një i plagosur rëndë. Njerëzit kanë etje, kanë uri. Ka fëmijë dhe gra shtatzëna që kanë nevojë për mjekim”.
“Atëherë mund të ankoroni në det të hapur. Ne do t’ju sjellim ujë dhe ushqime. Do t’ju sjellim ndihmë mjekësore për të plagosurit”.
“Jo nuk mundem, jam i detyruar të hyj në port”.
U ktheva në mol dhe pashë “Vlorën” që po bënte manovër për të hyrë në port ngadalë, por e vendosur. Fjalët e komandantit të Kapitanerisë, kishin bërë një vrimë në ujë. Edhe manovrat e fregatës “Euro”, që po përpiqej të pengonte hyrjen e “Vlorës” në port kishin qenë të kota. Kapiteni i “Euros”, nuk und të mendonte dhe me të drejtë nuk çau shpor “Vlorën”. Po të kishte vepruar kështu me siguri do të kishte shkaktuar një nga katastrofat më të mëdha të ndodhura ndonjëherë në det. Për fat të mirë moti ishte i mirë, sikur fuqinë e mbinatyrshme të ruanin ata mijëra njerëz të ngjeshur ngado në atë anije.
Ndodhesha pak metra nga hyrja e portit. Dhe shikoja gjithçka. Shqiptarët po festonin. Ia kishin dalë mbanë. Thirrmat e gëzimit ishin të panumërta, njerëzit qeshnin nga lumturia, gëzimi se kishin arritur në Itali, në tokën e lirisë dhe të mirëqenies.
(…)
Një djalosh shqiptar që kishte kuptuar gjithçka me sa duket, u zhyt në ujërat e portit, dhe pas pak çastesh edhe shumë të tjerë ndoqën shembullin e tij. Ishte ora, 10 – 10 e gjysmë dhe përpjekja e shqiptarëve për të “pushtuar” Barin kishte filluar.
Unë shikoja nga moli atë shfaqje të paparë.
“Laforgia, tani do t’i sjellim këtu. Të përpiqemi t’i mbledhim në këtë hapësirë këtu. Tregova një zonë të bankinës. Aty ishim vetëm unë dhe kolegu im Laforgia.
Motovedetat që deri në atë moment kishin shoqëruar dy anijet, na hynë shumë në punë. I merrnin njerëzit nga deti, dhe na i sillnin në platformë apo pranë saj. Unë dhe Laforgia u lagëm komplet për t’i ndihmuar që të hipnin në platformë. Ende më kujtohet buzëqeshja e atyre shqiptarëve të shtrirë në mol, të rraskapitur e të uritur. Kërkonin ujë. Ishin të lumtur dhe thërritnin “Italia, Italia”. Më dukej vetja sikur isha në një stadium ku luante kombëtarja italiane. Pas pak minutash unë dhe Laforgia u pamë në sy të shqetësuar. Nuk mund ta përballonim vetëm atë situatë. Ishin me mijëra shqiptarët që kishin mbërritur aty.
(…)
Shqiptarët filluan të pyesnin veten se ç’do të bënim tani me ta. Mora vesh se jashtë portit kishin mbërritur autobusë, të AMTAB-it, ndërmarrjes të transporteve urbane, të Barit, që do të ngarkonin shqiptarët dhe do t’i transportonin në stadiumin Vittoria., ishte gusht, agjentët e policisë ishin të paktë, pushimet ishin në mes të tyre, shumë dyqane ishin të mbyllura, qyteti ishte zhytur në stinën e verës. Nuk kishte zgjidhje tjetër përveç thirrjes në ndihmë edhe të mbrojtjes civile.
Shqiptarët mbërrinin në platformë dhe shtriheshin të lagur në të. Gjithë bankina ishte e mbushur me njerëz. Vapa mbizotëronte dhe dielli kishte fituar mbi mjegullën. Vapa ishte e padurueshme.
(…)
Mbërritën dhjetëra autobusë. Duhej të hipnim aty shqiptarët. Filluan t’i çonim drejt stadiumit, por shqiptarët ishin të pafundmë, e madje shtoheshin sepse të tjerë po mbërrinin nga anija që ishte ankoruar. Nga të bërtiturit në atë gjullurdi, më ishte ngjirur zëri. Pluhuri i qymyrit që kisha thithur më pengonte të merrja frymë. Një karabinier në një motovedetë të ankoruara në mol, më pa dhe më afroi për të më dhënë ujë. E piva me shpejtësi si hajdut. Ata njerëz kishin më shumë nevojë se unë.
Ndërkohë erdhi një autobot me ujë të pijshëm. Kishte disa rubinete në pjesën e pasme. Kur shqiptarët e vunë re, u turrën të gjithë për të pirë. Ata që ishin më të fortë arrinin të pinin, ata që nuk mundeshin nuk arrinin të pinin, sepse nuk luftonin dot, me atë turmë të jashtëzakonshme njerëzish që shtynin njëri-tjetrin për të mbërritur tek uji. Disa prej tyre humbnin ndjenjat, binin përdhé. Filluan të vinin ambulancat. Kishte një mishmash të jashtëzakonshëm. Telekamerat dhe aparatet fotografikë të reporterëve fiksonin gjithçka. Nga Roma mbërritën kolegët e Repartit të Lëvizshëm të gjithë të rinj dhe shumë impulsivë. Ishin të armatosur me shkop gome. Deri në ato momente unë dhe të tjerët kishim arritur të kontrollonim mijëra shqiptarët pa pasur nevojë për dhunë. Unë përpiqesha të ndërhyja nëpërmjet disa prej tyre që flisnin italisht, që të na ndihmonin të mbanin një farë rregulli. Gjërat deri në atë moment kishin shkuar mirë. Autobusët ngarkoheshin me njerëz sipas një rendi të caktuar duke respektuar lidhjet familjare dhe miqësore. Nëse dikush thoshte se në një autobus të caktuari ishte i biri, apo e shoqja, i vëllai apo ndonjë shok, edhe ai hipte në të njëjtin autobus. Nëse nuk arrinte të hynte, zbriste ndonjë vullnetar. Kurse agjentët e ardhur nga Roma, ndoshta sepse nuk kishin pasur mundësi të vëllazëroheshin me shqiptarët, si ne, nuk ishin aspak delikatë, dhe disa prej tyre filluan të përdornin shkopinjtë e gomës. U nevrikosa shumë. I qortova ashpër: nuk kishte nevojë për këtë, të paktën deri në ato momente.
Papritur pashë të vinin grupe fëmijësh me mbathje që buzëqeshnin. Ishin të djersitur, të pistë nga pluhuri i zi dhe të uritur. Vura re se solidariteti ndërmjet tyre ishte më i fortë se ai mes të rriturve. Shumë prej tyre mbanin në krahë të tjerë fëmijë të rraskapitur dhe pa ndjenja. Të topitur nga dielli, nga i nxehti i gurëve të molit. Ishin të zbathur, dhe ecnin në majë të gishtave sepse toka ishte përvëluese. Ishin shumë të dobët, kishin sy të kaltër dhe flokë të shkurtër. Vështrimet e tyre më bënë përshtypje. Rrezikonin të viheshin përpara nga të rriturit që vraponin drejtë iluzionit të lirisë. Drejt përrallës së mirëqenies të parë në televizion. Për një çast ndenja duke i vështruar. I pashë të ndalonin pranë autobotit të mbushur me ujë të pijshëm. Shikonin por nuk kishin guxim të afroheshin. Me siguri do të shtypeshin nga turma e njerëzve, nga etja dhe nga egoizmi i të rriturve.
Pastaj pashë të vinin edhe të tjerë ishin, gjashtë apo shtatë, e pastaj u bënë 10 apo 15. Një prej tyre, rreth 10 vjeç, me një sforcim të jashtëzakonshëm, mbante në krah një tjetër më të madh se veten, që kishte humbur ndjenjat. Shikoja ata fëmijë dhe mendoja dy fëmijët e mi. Kishin të njëjtën moshë. Kuptova se mund t’i ndihmoja. I mblodha rreth vetes dhe i shpura tek autoboti. U afrova dhe shtyva atë turmë njerëzish të dëshpëruar që po shuante etjen. Dikush ra përtokë. Arrita të zija dy apo tre rubinete. I ftova fëmijët të pinin. Ndenja aty për shumë kohë duke ndihmuar fëmijët, gratë e pleqtë që të pinin. Përfitoi edhe një burrë që mbante një grua në krahë.
(…)
Kur arritëm tek anija Vlora, pashë tre kolegë të zyrës sime. Ishin aty që nga mëngjesi. Hipa në bord. Tashmë përveç ekuipazhit gjithë shqiptarët kishin zbritur. Binte një erë e rëndë e padurueshme. Në çdo cep kishte fekale. Ishte si një nevojtore e madhe. Stivat ishin plot me thasë sheqeri në të cilat shkruhej Cuba. Hymë në lokalet e ekuipazhit, edhe këtu e njëjta situatë. Të merrej fryma. Kufoma e një të riu ishte përtokë pranë urës së komandës. Kishte plagë të thella. Kishte vdekur nga humbja e gjakut.
(…)
Kapiteni i “Vlorës” një burrë babaxhan, na kërkoi ujë dhe ushqime për ekuipazhin. Nuk dinte të thoshte asgjë për vdekjen e djalit. Na dorëzoi një kallashnikov dhe shtatë pistoleta që disa ushtarakë shqiptarë kishin lënë para se të zbrisnin në tokë. E ftuam të na ndiqte në zyrë për ta marrë në pyetje. Armët i ngarkuam në makinë. Kapiteni u ul në ndenjësen e pasme. Për të shkuar deri në zyrë na u desh shumë kohë. Na duhej të hapnim rrugën mes turmës së njerëzve në atë mol të ngushtë, dhe të gjatë pothuaj dy kilometra.
(…)
Në zyrë morëm në pyetje kapitenin. Quhej Halim Milaqi, ishte dyzet vjeç dhe ishte nga Durrësi. U përgjigj” jam shtetas shqiptar dhe flas mjaftueshëm italisht. Pra jam në gjendje tu përgjigjem pyetjeve.”.
“Mund të na sqaroni, çfarë ndodhi? Përse sollët në Bari mijëra njerëz me anijen e mallrave “Vlora”?”
“Para dy javësh me “Vlorën” dhe me gjithë ekuipazhin, prej 44 njerëzish, u ktheva nga Kuba, për të sjellë 10 mijë tonelata sheqer të prodhimit kuban. Dje në mëngjes, në shtatë gusht 1991, ndërsa ishim në portin e Durrësit, u paraqitën përpara nesh mijëra bashkëkombës tanë. Donin të hipnin në anije dhe të udhëtonin drejt Italisë. Unë dhe ekuipazhi u munduam t’i ndalnin, por përpara numrit të madh të njerëzve që na shtynin e na kërcënonin, na u desh tu hapnim rrugë dhe të gjithë iu turrën anijes. Në pasdite vonë kur anija ishte më se e mbushur me njerëz, nën kërcënime dhe nga ana e të gjithë atyre që kishin hipur na u desh të niseshim drejt Brindisit”.
“Në ç’orë mbërritët në Brindisi?”
“Rreth orës katër të mëngjesit. Kapitaneria e portit të Brindisit, nuk na la të hynim në port, dhe na u desh të ndryshonim drejtim duke shkuar në Bari. Rreth orës nëntë mbërritëm në Bari. E theksoj se për të marrë rrugën drejt Brindisit, bashkëkombësit tanë na kanë kërcënuar për vdekje me armë në dorë mua dhe ekuipazhin tim. Ndër ta kishte edhe shumë policë shqiptarë të armatosur. Edhe ata na kërcënuan me armë. Gjatë lundrimit për tre herë patëm avari në motor dhe për fat arritëm t’i riparonim”.
“Kur hytë në Bari përse nuk iu bindët urdhrit të komandantit të kapitanerisë së portit për të që nuk ju lejonte të hynit në port?”
“Sepse u sulmova nga bashkëkombësit e mi që detyronin të ankorohesha dhe të mbërrija në mol. Autoritetet italiane më thanë të ankoroja në det të hapur dhe të prisja ujë dhe ushqime por nuk më lejuan sepse bashkëkombësit e mi nuk donin të ndalnim aty. Nën kërcënimin e armëve më detyruan të hyja në port. Kur hymë në port shumë prej tyre u hodhën në det, ku u gjetën nga motovedetat”.
(…)
Shkova të kontrolloja postën.
Mes mesazheve njëri më la mbresë të veçantë. Ishte i kapitanerisë. I drejtohej prokurorisë së republikës, dhe policisë detare. Ishte komunikimi i një krimi. Informonte se në mëngjes kishte mbërritur në port anija “Vlora”, numër amze 31 nga Durrësi T.s. l 8649 me rreth 10 mijë refugjatë dhe që në atë moment nuk dihej cili ishte kapiteni. Hipotezohej dhunimi i nenit 1231 të kodit të lundrimit sepse kishte transportuar pasagjerë më shumë se ç’i lejohej, dhe sepse kishte thyer nenet e kodit penal 1100 dhe 650 pasi nuk iu bind ndalimit të hyrjes në port që i ishte transmetuar me radio me frekuencë ndërkombëtare dhe me urdhra të përcjella nga motovedetat e forcave të policisë. Kërkonin të shqyrtohej mundësia e sekuestrimit të anijes.
Nicola Montano
Përkthyer nga libri “Ladri di stelle”
“Shqiptari i Italisë” falënderon autorin dhe botuesin për lejimin e botimit
Lexo edhe intervistën me autorin e librit Nicola Montano: “Unë, polic kufiri, e di ç’do të thotë të jesh emigrant”