in

Ngjarje e rëndë në Vlorë. Acid në fytyrë një gjyqtareje

Gjyqtarja Mirela Mishgjoni e gjykatës së Vlorës është djegur me acid në fytyrë dhe kraharor nga një person ende i paidentifikuar

Tiranë, 16 janar 2013 – Gjyqtarja Mirela Mishgjoni e Gjykatës së Shkallës së Parë në qytetin e Vlorës është sulmuar me acid nga një person ende i paidentifikuar. Gjyqtarja është djegur në fytyrë dhe në kraharor dhe po kurohet në spital.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm në lagjen 28 Nëntori. Gjyqtarja Mirela Mishgjoni sapo kishte dalë nga shtëpia kur është sulmuar me acid nga një person i cili më pas është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.

Sipas mjekut, Aldo Vangjeli, gjyqtarja është jashtë rrezikut dhe po merr mjekim për djegiet me acid. “Gjyqtarja Mishgjoni ka pësur djegie me acid në anën e majtë të fytyrës, në syrin e majtë, dhe pjesën e brendshme të gojës dhe po merr mjekimin e nevojshëm” tha mjeku.

Nga mediat shqiptare mësohet se gjyqtarja Mirela Mishgjoni është shkarkuar nga detyra në 2008 për shpërdorim detyre ndërkohë që ajo ka ndjekur rrugën gjyqësore për t’u rikthyer në detyrë.

Ende nuk dihen motivet e sulmit ndaj saj, dhe policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e sulmuesit të gjyqtares Mishgjoni.

Ngjarja e sotme kujton atë të 9 shtatorit 2011, kur Skerdilajd Konomi, gjykatës në Gjykatën e Shkallës së Parë në qytetin e Vlorës, ka mbetur viktimë e shpërthimit të autoveturës së tij për shkak të një bombe të vendosur në të.

 

Milano. Nasce lo sportello comunale per le seconde generazioni

Patente italiana di guida. Cambiano le regole