in

Vlorë. Çfarë shtyu nënën të vrasë foshnjën e saj

Problemet e përditshme, depresioni i pas lindjes. Sipas drejtorit të maternitetit, Elezi, “Gjendje të rënda psikologjike shoqërojnë nëna të reja menjëherë  pas lindjes, veçanërisht kur e kanë për herë të parë”

Tiranë, 14 shtator 2011 – Një nga të afërmit e 25 vjeçares nga Vlora, Eglantina Meçe, që hodhi nga dritarja e katit të tretë të maternitetit, foshnjën e saj të porsalindur, tregon se, “gjatë muajit të fundit të shtatzënisë, ajo ishte bërë më e heshtur, por mendonim se kjo ishte normale për shkak se ishte hera e parë që ajo do të bëhej nënë”.

Vajza nga Vlora, e martuar në qytetin e Lushnjes, kishte përjetuar një gjendje të veçantë. Bashkëshorti pranon se, kishin grindje në jetën bashkëshortore, por asnjëherë nuk kishte menduar që mund ta çonin në këtë veprim ekstrem.  “Si çdo çift, kishim problemet e të jetës së përditshme. Por, nuk mendoja se puna do të vinte deri këtu dhe Eglantina do të hidhte djalin nga dritarja”, thotë i tronditur bashkëshorti,teksa qëndron në mjediset përpara spitalit, në pritje të përfundimit të procedurave.

Foshnja disaditëshe, ishte fëmija e parë e çiftit që jetonte në qytetin e Lushnjes. Eglantina Meçe ishte martuar në qytetin myzeqar, por kishte ardhur për të lindur në qytetin e saj.

Në orët e para të mëngjesit të së martës, 13 shtator, ajo u bë protagoniste në një ngjarje të paprecedent, duke vrarë djalin e saj të sapolindur, të cilin e hodhi nga dritarja e dhomës ku qëndronte prej disa ditësh.

Përpara këtij veprimi, e reja kishte telefonuar bashkëshortin dhe i kishte kërkuar të vinte pranë saj, për shkak të një problemi shëndetësor. Por, nuk kishte pritur që ai të mbërrinte. Me foshnjën në duar, ajo  i ishte drejtuar dritares.     

Fillimisht hodhi beben dhe më pas, u shkëput edhe vetë nga parmaku drejt pllakave të ftohta të trotuarit.

Teksa foshnja ndërroi jetë, brenda pak minutash, nëna e re pësoi dëmtime  por pa pasoja për jetën. Eglantina vazhdon të jetë në gjendje të rënduar psikologjike dhe po trajtohet nga mjekët dhe një psikologe.

“Në momentet që kreu veprimin e hedhjes së foshnjës nga ballkoni i katit të tretë të maternitetit, 25 vjeçarja Eglantina Meçe, mendohet se mund të ketë qenë në kushtet e një depresioni, ose nën efektet e një psikoze”, thotë drejtori i spitalit të Vlorës, Besnik Elezi.  Sipas mjekut drejtues, gjendje të tilla psikologjike janë të pranishme dhe shoqërojnë mjaft nëna të reja në periudhën e paslindjes dhe konstatohen më shpesh tek ato që lindin për herë të parë.

Ndërkohë që vetë familjarët kanë mbetur të shokuar nga ky veprim i të afërmes së tyre.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03.25 të mëngjesit të djeshëm në maternitetin e Vlorës, i cili  ndodhet në katin e tretë të godinës së spitalit të qytetit,  kur 25 vjeçarja Eglantina Meçe, hodhi nga ballkoni foshnjën e vet dhe më pas u hodh edhe vetë. Ajo kishte lindur 5 ditë më parë në kushte normale dhe sipas mjekëve, gëzonte shëndet fizik të plotë, po ashtu edhe djali i saj.

“Arratia e Shqiponjave”. Fotografitë e anijes Vlora të Luca Turit në ekspozitë në Bari

Rishikim i historisë së Shqipërisë{br}Takim me një vend që po zbulon vetveten