Viktima, 42-vjeçari Isuf Kokaj, pronar i një hoteli në Radhimë që pritej të inaugurohej këto ditë. E plagosura, një vajzë 19-vjeçare që udhëtonte me viktimën
Tiranë, 28 gusht 2014 – Një tjetër ngjarje e rëndë, që ka të gjitha gjasat të jetë një atentat me tritol, ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Vlorë, në një zonë tejet të populluar të Vlorës, dhe kur qyteti është akoma me shumë turistë që po kalojnë aty pushimet verore.
Një person ka humbur jetën e një tjetër është plagosur në shpërthimin e një automjeti në ecje. Sipas mediave shqiptare, viktima është 42-vjeçari Isuf Kokaj, pronar i një hoteli në Radhimë që pritej të inaugurohej këto ditë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 07:15 në rrugën transballkanike Vlorë Skelë, pranë sheshit “Omonia”, ku një automjet ‘Mitsubishi’ i bardhë, fuoristradë, në të cilin udhëtonin dy persona, ka shpërthyer në flakë. Forca e madhe e shpërthimit ka nxjerrë jashtë të dy udhëtarët. Viktima është gjetur i pajetë, totalisht i shkrumbuar, pranë makinës. Pasagjerja, për të cilën policia jep inicialet O.M, 19 vjeç, është çuar me urgjencë në Spitalin e Traumave në kryeqytet, ku mjekët thonë se është në gjendje të rëndë, ka djegie të shkallës se tretë por nuk është në rrezik jete.
Në vendgjarje kanë mbërritur menjëherë forca të shumta policie të cilat kanë rrethuar dhe skenën e krimit. Policia nuk dha detaje të tjera për mënyrën se si është realizuar shpërthimi dhe motivet, por tha se, për këtë ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor në përbërje të të cilit janë specialistët më të mirë kundër krimeve të rënda në Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë, Drejtorinë e Policisë të Qarkut të Vlorës dhe Prokurorë të krimeve të rënda nga Tirana e Vlora. Paraprakisht mendohet se shpërthimi është realizuar me lëndë eksplozive të komanduar në distancë. Rreth një vit më parë, edhe vëllait të 42-vjeçarit, i ishte bërë një atentat i ngjashëm nga i cili shpëtoi për mrekulli e nuk pati dëmtime serioze.
Pasojat e shpërthimit të mjetit mëngjesin e sotëm janë ndier në të gjithë zonën, ku ka pasur thyerje të xhamave në pallatet dhe dyqanet përreth.