Flasin vajzat e shtruara në rianimacionin e Vlorës
Një ditë pas aksidentit në afërsi të Himarës, në vendin e quajtur “Qafa e Vishës”, studentet e plagosura të shtruara në spitalin rajonal të Vlorës, janë ende në gjendje shock-u.
Nuk arrijnë të besojnë atë që ka ndodhur me to, ndërkohë që ishin nisur për në Sarandë, ku do të qëndronin të paktën dy ditë. U duket ende si një ëndërr dhe nuk duan të besojnë se kanë qenë “pasagjere” të autobusit të vdekjes.
Po trajtohen me kujdesin maksimal të mjekëve, por kjo nuk mund të mposhtë tmerrin që ato vazhdojnë të ndiejnë, përjetimin e çasteve të tmerrshme që kaluan, apo vuajtjen për humbjen e shoqeve. Ka edhe prej tyre, që akoma nuk janë në gjendje të perceptojnë dimensionet e asaj që ka ndodhur, për shkak të traumave që kanë pësuar.
Në spitalin e Vlorës po trajtohen gjithsesj 10 nga të plagosurat, katër prej të cilave ndodhen në repartin e reanimacionit për shkak të gjendjes ende delikate. Të tjerat, janë dërguar në dhomat e repartit të kirurgjisë, ku po mbahen nën kujdes të rreptë.
Elidona Gjinaj, 21 vjeçarja nga Laçi, është një prej vajzave në rianimacion. Rënkon nga dhimbjet. Ajo është akoma e shokuar dhe flet me mjaft vështirësi. Në një moment humbet disi vetëdijen dhe pyetjes “A mban mend diçka nga aksidenti?”, i përgjigjet gjithashtu me pyetje; “Çfarë aksidenti?”. Por, më pas kthjellohet disi dhe tregon me shumë vështirësi diçka nga ajo që ka ndodhur. “Kujtoj vetëm momentin kur autobusi po binte dhe më pas…asgjë…”, thotë Elidona, duke marrë frymë me mjaft vështirësi.
Ajo thotë se i kanë ardhur të dy prindërit, të cilët tashmë janë më të qetë. “Jam vajzë e vetme, kam edhe dy vëllezër”, vijon më tej 21 vjeçarja nga Laçi, ndërkohë që shton se, “tani ndihem më mirë”.
Ndërkohë, në shtratin tjetër, ndodhet 23 vjeçarja Adiola Mustaku, nga Fier Shegani i Lushnjës. Është paksa më e qetë krahasuar me shoqen e saj, por gjithsesi mjaft e rënduar psikologjikisht. Madje është e shqetësuar për shoqet e saj, pyet për njërën prej tyre me mbiemrin Haka dhe kur mjeku Selami, që shikon një listë, i thotë se është gjallë dhe ndodhet në spitalin ushtarak të Tiranës, ajo lehtësohet dhe merr frymë thellë. Duket disi më e çliruar, aq sa mund të jetë e tillë një 23 vjeçare, që ka përjetuar një ngjarje tepër të rëndë. Mundohet të kujtojë ato momente “ferri”, sikundër i cilëson ajo. “Autobusi po ecte me shpejtësi, kur në një nga kthesat ai devijoi. Unë isha ulur në sediljen e katërt pas shoferit dhe dëgjova që ai tha, nuk kam frenat. Të gjitha po bërtisnim. Ndërkohë, autobusi mori majtas duke shtuar shpejtësinë. Shoferi u mundua të kthente timonin por nuk arrinte pastaj pamë që autobusi u drejtua drejt bordurës anësore të rrugës dhe e goditi atë me pjesën e përparme. Më pas nuk mbaj më mend asgjë. U zgjova në ambulancë”, përfundon Adiola.
Një shtrat më tej është Besjana Xhenati, 21 vjeçe nga qyteti i Kavajës. Nuk arrin të komunikojë. Në fytyrë nuk duket e dëmtuar, ashtu si shoqet e veta, por nuk reagon ndaj pyetjeve tona. Duket e tronditur. Madje, as mjekët nuk e bëjnë dot të flasë. Qëndron e heshtur dhe vetëm tund kokën, ndërkohë që herë pas here rënkon lehtë.
Në këtë dhomë të vogël të repartit të reanimacionit të Spitalit të Vlorës, nuk i kanë mësuar ende përmasat e tragjedisë. Gjendja ende e pavetëdijshme e të aksidentuarave, por edhe kujdesi i mjekëve dhe familjarëve dhe të afërmve për të mos u treguar, përbëjnë dy nga arsyet e kësaj.
Megjithatë, ato arrijnë të kuptojnë se diçka e rëndë, tepër e rëndë ka ndodhur. Kjo edhe kur shohin që në një dhomë të vetme janë tre shoqe, studente të një fakulteti. Adiola pyet për të mësuar diçka më tepër, por mjaftohemi duke u uruar të shkuara, për t’u drejtuar në një dhomë tjetër të këtij reparti, ku ndodhet një studente tjetër.
Liri Hasaj, 21 vjeç nga fshati Stërbeg i Kavajës, është paksa më e qetë dhe më e vetëdijshme se shoqet e tjera. Madje, për këtë arsye atë e kanë vendosur në një dhomë tjetër. Një e qepur e thellë në pjesën e djathtë të ballit, ku spikat ende gjaku i mpiksur, si dhe fyryra e verdhë, janë elementë që bien menjëherë në sy. Pavarësisht se flet me mjaft vështirësi dhe me një zë të ulët, Liria është në gjendje të tregojë mjaft detaje nga ajo çka përjetoi një ditë më parë. “Nuk e di ka ndodhur në realitet, apo jam në ëndërr. Më duket gjithçka si një ëndërr”, shprehet ajo, duke vijuar më tej tregimin e saj. “Autobusi po lëvizte tepër ngadalë, madje edhe një gomar me ecjen e vet mund të na kalonte”, thekson 21 vjeçarja, duke përshkruar disi ndryshe nga dy shoqet e tjera. Ajo thotë se ishte ulur në ndenjësen e tretë dhe ka parë mjaft gjëra nga ato momente të fundit përpara rënies.
“Në fillim ndiem një goditje në pjesën e pasme të autobusit, që u përplas, mbase në një shkëmb në anën e sipërme të rrugës. Pastaj nisi të rriste shpejtësinë dhe të lëvizte përpara në krahun e majtë drejt bordurës së anës tjetër të rrugës. Ne bërtisnim. Shoferi mundohej të drejtonte makinën. E ktheu në një moment. Por, autobusi ra anash bordurës. Ramë me pjesën e pasme. Kapërdimjen e parë të autobusit e ndjeva, duke u kapur fort pas sediljes. Më pas u zgjova dhe e pashë veten se ndodhesha 10 apo 20 metra larg autobusit. Po rënkoja. Pranë meje ndodheshin edhe dy vajza të tjera. Duke rënkuar dhe duke bërtitur aq sa mund të bërtisnin, kërkonin ndihmë. Njëra ishte Anisa Çoba. Tjetra Arta Ballabani. Shikonin nga unë dhe kërkonin t’i ndihmoja duke më thënë se ndiheshin keq. Por unë isha e mbuluar nga gjaku dhe e pafuqishme për t’u ardhur në ndihmë. Isha e larë gjithashtu kokë e këmbë me karburantin e autobusit, që ndodhej i shtypur 10-20metra më tej dhe poshtë tij, vajzat e tjera. O zot, Arta bërtiste me të madhe. Çfarë ishte kjo? Nuk e besoj dot “. Liria rrëmbushet dhe në sy i shfaqen lotët. Na falenderon që jemi pranë saj dhe humbet në botën e vet, në ato momente tmerri që ajo ka përjetuar një ditë më parë.
10 vajza trajtohen në Spitalin e Vlorës
Drejtori i Spitalit Rajonal të Vlorës, Shkëlqim Selami, thotë se aktualisht janë duke u trajtuar 10 vajza mes të cilave Elidona Gjinaj, nga qyteti i Laçit, Enkela Daja, 19 vjeçe nga Elbasani, Adiola Mustaku, 23 vjeçe nga Fier-Shegani, Lushnje, Ergita Opingari, 21 vjeçe nga Berati, Juliana Kuqi, 21 vjeçe nga Lushnja, Besjana Xheneti, 21 vjeçe nga Kavaja, Ticiana Hysaj, 21 vjeçe nga Elbasani, Liri Hasaj, 21 vjeçe nga fshati Stërbeg Kavajë, Anisa Hysa(Gjika), 20 vjeçe nga Elbasani, Adisa Çela, 21 vjeçe, nga Elbasani. Kirurgu Fredi Muço, shprehet se gjendja e tyre është drejt përmirësimit të vazhdueshëm.
(ATSh)
Lexo edhe: Bie autobusi me studentë në Himarë. 13 të vdekur, mbi 20 të plagosur