Njerëzit më të pasur të botës, më të bukur, artistët më të paguar, futbollistët më të mirë, gafat më të mëdha të vitit, fotografitë më të bukura e të tjera e të tjera. Janë renditjet e ndryshme që në këto ditë të fundit të vitit shfaqen në media të ndryshme, edhe më prestigjozet.
Washington post përpilon edhe atë të njerëzve më të urryer në Internet gjatë vitit 2015.
Vendin e parë për të përditshmen amerikane e zë Martin Shkreli, amerikani me origjinë shqiptare, pronar i një shtëpie farmaceutike që u bë i famshëm në të gjithë botën për faktin se në muajin shtator rriti, nga 13$ në 750$, çmimin e Daraprim, një ilaç i përdorur nga të sëmurët me SIDA-n. Sikur të mos mjaftonte kjo gjë për ta bërë atë njeriun më të keqpërfolur në të gjitha mediat e rrjetet sociale, Shkreli ka treguar në intervista se nuk është penduar për rritjen e çmimit, por ka thënë se është punë e tij të nxjerrë sa më shumë fitim.
Lajmi tjetër mbi të që u përhap me shpejtësi në mbarë botën, e që gëzoi “armiqtë e Shkrelit” ishte arrestimi i tij në 17 dhjetor. Akuzohet për evazion fiskal, e ndryshe nga ç’ndodh në Itali, në Amerikë të vënë hekurat për këtë vepër penale.
Shihni renditjen e Washington Post e 15 personave më të urryer në internet: Whatever happened to the 15 people the Internet hated most in 2015?