in

Zgjaten radhët për pasaportat biometrike

Në qytetet e Shqipërisë shtohet numri i aplikuesve, dhe kjo nuk është e papritur për muajin gusht, por në shumë zyra mbetet i njëjtë numri i personelit dhe i orarit të punës. Ndërkaq, Ministria e Brendshme hesht mbi mënyrën e aplikimit që do t’u ofrohet emigrantëve në Greqi e Itali ku jeton pjesa më e madhe e tyre

Rritet nga dita në ditë numri i shqiptarëve që kthehen në atdhe për të kaluar pushimet e me të njëjtin ritëm shtohen anembanë Shqipërisë edhe radhët në zyrat e ndryshme të postave, të Zyrave të Gjendjes Civile dhe të Rajoneve të Policisë, blerjen e kuponit, aplikimin dhe tërheqjen e dokumenteve të reja të identifikimit. Dhe ndërsa zyrat e Postës Shqiptare punojnë me orare të zgjatura edhe gjatë fundjavës, enkas për t’u shërbyer emigrantëve me kuponët e pagesave për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrie, zyrat e aplikimit për letërnjoftime e pasaporta jo vetëm nuk kanë shtuar personelin, orët e punës e pikat e aplikimit, por qëndrojnë mbyllur të shtunë e të diel. Kur në të gjitha drejtimet e tjera që kanë të bëjnë me kthimin në atdhe të shumë shqiptarëve që banojnë jashtë Shqipërisë, apo ardhjen e turistëve, qeveria ka marrë një sërë masash (shtim sportelesh në pikat kufitare, paketë masash për qarkullimin rrugor, për shërbimet turistike), duket e pakuptueshme pse nuk janë parashikuar (edhe pse është folur shpesh) të gjitha masat për t’i bërë ballë shtimit të pritshëm të numrit të aplikimeve.

Një tjetër gjë me vend do të ishte edhe dhënia e informacioneve të sakta zyrtare mbi mënyrën e aplikimit nëpër ambasada e konsullata të emigrantëve shqiptarë në Greqi e Itali: ç’dokumente do t’u kërkohen për të aplikuar, sa do të jetë tarifa përfundimtare e shërbimit, kur do të nisë. Në këtë mënyrë, secili merr parasysh të gjitha e sheh ku i leverdis të kërkojë pasaportën e letërnjoftimin: ta bëjë në atdhe apo ata marrë me qetësi e të bëjë veprimet e nevojshme në Itali apo Greqi kur të kthehet. Dhe një vendim të tillë e merr vetëm kur di të gjitha kriteret për aplikimin, qoftë në vendlindje, qoftë pranë përfaqësive diplomatike të këtyre dy vendeve.

Sipas Ministrisë së Brendshme, deri në 23 korrik, në Shqipëri kanë aplikuar për letërnjoftime elektronike, 2.205.000, janë shpërndarë nëpër Zyrat e Gjendjes Civile 2.190.000 copë nga të cilat janë tërhequr nga qytetarët 2.006.000. Ndërsa, deri në të njëjtën datë për pasaporta biometrike kanë aplikuar 824.000 qytetarë, janë prodhuar dhe shpërndarë në Rajonet e policisë 801.000, nga të cilat janë tërhequr 700.000.
Ke. Bi.

Eneida Topi dhe Dashuria e Narcisit

Italianët: “Problem imigrantët? Jo sa politikanët”