in

Zgjedhja e Presidentit. Sot raundi i katërt, Ilir Meta kandidati i vetëm

Në seancën e sotme, Ilir Meta do të hyjë kryetar i Kuvendit e mund të dalë President i Republikës. Është kandidati i shumicës, i certifikuar si i pastër nga dy institucione

Tiranë, 28 prill 2017 – Kuvendi do të mblidhet në 17:00 për të zhvilluar raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Në ndryshim nga tre raundet e mëparshëm, të mbyllura pa kandidat, në raundin e sotëm do të votohet kandidatura e Ilir Metës, e propozuar nga koalicioni i majtë qeverisës.

Lajmi u bë i ditur mbrëmë edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili njoftoi se kryetari i Kuvendit, Ilir Meta është kandidati i shumicës për postin e Presidentit të Republikës.

Më herët, në përfundim të seancës të së enjtes, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, kërkoi që Presidenti të zgjidhej në dy raundet e mbetura ose në të kundërt të shkohet në zgjedhje të parakohshme, siç e parashikon Kushtetuta.

Pas kësaj, u mblodh kryesia e LSI-së, e cila propozoi kandidaturën e Ilir Metës për President, e cila u mbështet në mënyrë unanime nga kryesia e Partise Socialiste.

E opozita? Vazhdon prej më shumë se dy muaj të mos marrë pjesë në parlament, pa u tërhequr asnjë çast nga kërkesa e saj për qeveri teknike, si garancia për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ndërkaq, mësohet që Ilir Meta është certifikuar si figurë e pastër nga dy institucione, Autoriteti për Hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit për pastërtinë e të shkuarës së tij dhe nga KQZ për ligjin e dekriminalizimit.

Sipas Top Channel, mbrëmjen e së enjtes zyrtarët më të lartë të Kuvendit, përmes një shkrese zyrtare, i kërkuan këtij autoriteti verifikimin e pastërtisë së figurës së Ilir Metës. Në letrën drejtuar kreut të këtij institucioni, Kuvendi kërkoi verifikimin e kësaj kandidature sipas ligjit për “Të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, nëse zoti Meta ka qenë apo jo person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, ka qenë apo jo bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit dhe nëse figuron apo jo në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. 
Genta Sula, drejtoresha e autoritetit, tha: “Ne bëmë nga mbrëmë të gjitha verifikimet dhe rezulton që zoti Ilir Meta të jetë i pastër”.

Meta rezulton i pastër edhe nga një tjetër institucion i rëndësishëm, KQZ, ku kreu i Kuvendit, si deputet i Parlamentit shqiptar, ka plotësuar formularin e dekriminalizimit.

Lexo edhe:
Ilir Meta. Dritëhijet e kandidatit për President
Ilir Meta mund të zgjidhet nesër Presidenti i Republikës
Afatet e procedurat për zgjedhjen e Presidentit
Presidentët e Shqipërisë demokratike, nga Alia te Nishani
Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Dështon raundi i parë
Zgjedhja e Presidentit të Shqipërisë. Dështon edhe raundi i dytë
Zgjedhja e Presidentit të ri. Tym i zi edhe pas raundit të tretë

 

Romë. Katër plumba i marrin jetën një 43-vjeçari përpara syve të të bijës

Ilir Meta është Presidenti i ri i Shqipërisë