Tashmë, kur janë numëruar rreth 94,5% e kutive të votimit, duket se për të tretën herë radhazi, PDK kryeson me 31,17% të preferencave
Jahjaga: “Kosova kaloi me dinjitet dhe maturi sprovën në konsolidimin e shtetit”
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerëson se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 8 qershorit janë mbajtur në një atmosferë të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve në të gjithë vendin, përfshirë edhe pjesën veriore. Presidentja Jahjaga përgëzon qytetarët e Republikës së Kosovës për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme dhe kontributin për mbarëvajtjen e tyre demokratike.
Presidentja shprehet se parregullsitë eventuale janë duke u shqyrtuar nga mekanizmat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve për t’u siguruar se vota e lirë e qytetarëve dhe vullneti i tyre politik është garantuar. Jahjaga përgëzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit për përpjekjet dhe punën e tyre për të siguruar një proces të drejtë dhe transparent.
Presidentja Jahjaga vlerëson përkushtimin dhe angazhimin e partive e subjekteve politike, si dhe të të gjithë kandidatëve që kanë kandiduar në zgjedhjet e përgjithshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Presidentja Jahjaga vlerëson angazhimin e vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin Vëzhgues të BE-së, që ka vëzhguar me kujdes gjithë procesin, duke i dhënë edhe legjitimitet ndërkombëtar zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend. Presidentja Jahjaga falënderon Misionin e OSBE-së, të EULEX-it si dhe KFOR-in për mbështetjen e tyre në sigurimin që të gjitha komunitetet në Kosovë të marrin pjesë në këto zgjedhje në një mjedis të qetë dhe të sigurt.
Presidentja Jahjaga thekson se Kosova dhe qytetarët e saj e kaluan me dinjitet dhe me maturi këtë sprovë në konsolidimin e shtetit tonë. Në ditët në vijim, është me rëndësi që të dëshmojnë të njëjtin përcaktim dhe të kontribuojnë në përmbylljen e këtij procesi demokratik, jetik për të ardhmen e vendit tonë.
Thaçi: Kosova, e gatshme për të realizuar ëndrrat e mëdha
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i ardhshëm (për të tretën herë) i Kosovës, ka shpallur fitoren mbrëmë në sheshin 21, duke deklaruar “Kosova është e gatshme për të realizuar ëndrrat e mëdha”.
“Qytetarët e Kosovës u përballën me një pyetje të thjeshtë por vendimtare për Kosovën, çfarë shteti duhet të ndërtojmë. Vota demokratike e dëgjoi përgjigjen e qytetarëve të Kosovës shumë qartë”, u shpreh Thaçi. “Ne do të ecim përpara, ne do ta zhvillojmë vendin tonë”.
Heshtje nga Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, që në fushatë shprehej e sigurt për fitore dhe se lideri i saj, Isa Mustafa, do ishte kryeministri i ardhshëm.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, e liderit Albin Kurti, deklaroi se “është dyfishuar në këto zgjedhje, e po ashtu edhe në përqindje”.