in

Zgjedhjet: PS depoziton padi të re

Deri dje Kolegji zgjedhor nuk zbardhi arsyet e vendimit të tij të të premtes së shkuar për hedhjen poshte të kërkesës së PS-së. Kjo u kritikua ashpër nga PS dhe u justifikua nga Ndreca, një nga anëtarët e trupës së Kolegjit

Tiranë, 7 qershor 2011 – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bëri të ditur të hënën pasdite se PS ka depozituar një tjetër padi, përmes së cilës kërkon pavlefshmërinë e vendimit të KQZ-së për rezultatin përfundimtar për kreun e Bashkisë së Tiranës. “Ne vazhdojmë të përpiqemi për ta gjetur këtë të drejtë në rrugë ligjore deri në sekondën e fundit, por askush nuk mund të mendojë se shkelja e kësaj të drejte mund ta mbyllë këtë histori grabitjeje të paturpshme, si çudinë e radhës që harrohet pas tre ditësh”, deklaroi Rama.

Rama theksoi se Kolegji Zgjedhor të premten ka dhënë një vendim, të cilin PS nuk e pranon, ndërkohë që nuk ka dhënë as arsyetimin e atij vendimi, siç e kërkon ligji. Pikërisht për këtë arsye, PS, përmes deputetit Damian Gjiknuri, deklaroi të hënën pasdite se Kolegji Zgjedhor shkeli ligjin, duke mos zbardhur brenda afateve vendimin e marrë më 3 qershor, për pushimin e çështjes së ankimimit të socialistëve për kryetarin e bashkisë Tiranë. “Ne sot duhet të mësonim shkaqet e vërteta të rrëzimit të atij vendimi dhe se ku janë bazuar kur gjykuan se aktet e KQZ-së janë në përputhje me ligjin dhe Kodin Zgjedhor”, tha Gjiknuri, njëkohësisht përfaqësues ligjor i PS-së në Kolegjin Zgjedhor.

“Ne denoncojmë këtë fakt vërtet të rëndë që tregon për standardet e ulëta në të cilat  ndodhet Kolegji. Janë pikërisht ata që realisht marrin përsipër të gjykojnë standartet e të tjerëve dhe duhet të respektojnë të parët standartet e përcaktuara në ligj. Fatkeqësisht, kanë shkelur çdo afat”, tha Gjiknuri në një prononcim për mediat, para selisë së Kolegjit Zgjedhor. 

Lidhur me këtë afat, një nga anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, relator i çështjes së PS-së, Tom Ndreca, shpjegoi se nuk ka asnjë shkelje të afateve, pasi për këtë organ ka vlerë orari zyrtar i administratës publike për të cilin e shtuna dhe e diela janë ditë pushimi. Nga ana tjetër, në një intervistë për Deutsche Welle në shqip, Ndreca argumentoi hedhjen poshtë të kërkesës së PS-së: “Kolegji Zgjedhor bëri një zgjidhje profesionale dhe të mbështetur në legjislacionin e Shqipërisë, kur rrëzoi kërkesën ankimore të PS. Kjo pasi Kolegji Zgjedhor gjykoi që akti normativ i KQZ nuk kishte të bënte më gjithë territorin e Shqipërisë, por vetëm me një njësi zgjedhore, atë të Tiranës dhe si i tillë nuk krijonte një normë për gjithë vendin. Akti normativ i KQZ për numërimin e votave të kontestuara nuk ishte përfundimtar, pasi ai bëri vetëm korigjimin e tabelave të KZAZ- ve të Tiranës”. Për Ndrecën, një nga pikat e dobëta të zgjedhjeve në Shqipëri është natyra partiake e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, KZAZ-ve: “Procesi i numërimit po stonon, po zgjatet. Grupet e numërimit dhe nivelet e administrimit të këtij procesi nuk duhet të jenë partiake, duhet gjetur një formë tjetër, jo partiake, ndoshta forma elektronike, si e kanë vendet e BE”.

Skandali i futbollit. Edhe një shqiptar mes të akuzuarve

Lista e pasaportave biometrike të gatshme në Romë