Romë, 22 prill 2011 – Pesëdhjetë persona janë përfshirë në një sherr të madh në burgun Capanne të Perugias, ditën e mërkurë. Një grup të burgosurisht shqiptarë janë përballur me disa afrikano-veriorë. Me sa bën të ditur Giornale dell’Umbria këta të fundit kanë dashur të ndëshkojnë disa të dënuar shqiptarë dhe i kanë sulmuar me brisqe dhe me këmbët e tavolinave; me sa duket sherri ka ndodhur në mensë.
Ka pasur 22 të plagosur, 7 prej tyre ndodhen në spital, njëri me traumë në kokë. Një i burgosur është dëmtuar rëndë në fytyrë. Nuk dihet nëse ka patur të lënduar mes rojeve të burgut, të cilat kanë ndërhyrë për të shuar zënkën.
Në burgun e Perugias është sinjalizuar prej kohësh një situatë e vështirë, kryesisht për shkak të mbipopullimit. Megjithëse burgu ka një kapacitet prej 352 vendesh, në të vuajnë dënimin 521 perona, 75% e të cilëve janë të huaj. Sipas një raporti të kohëve të fundit gjatë gjashtëmujorit të fundit të vitit të kaluar në këtë burg janë regjistruar 138 akte vetëlëndimi dhe këtë vit ka pasur një vetëvrasje. E 237 policët që punojnë pranë këtij burgu janë shumë të paktë për të përballuar ngarkesën e punës.