in

Zija pa fund e vdekjeve të bardha

Sipas Inail-it, për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit, gjatë vitit 2009 vërehet rënie e numrit të aksidenteve në punë të punonjësve të huaj. Bie gjithashtu edhe numri i të ashtuquajturave “vdekje të bardha”, që sidoqoftë janë shumë. Çdo dy të vdekur të huaj në punë një është shqiptar, rumun ose maroken.

Një buletin lufte që përsëritet çdo vit. Shifra që nga njëra anë të rrëqethin dhe nga ana tjetër revoltojnë, në këtë që pretendon të jetë një vend i qytetëruar. Me rastin e “Ditës Kombëtare të Viktimave nga Aksidentet në Punë” dolën sërish shifra tragjike. Vitin e kaluar aksidentet në punë kanë qenë 790mijë, me mbi 1.000 punonjës që kanë humbur jetën, ndërsa kanë qenë 886 të vdekurit prej sëmundjeve profesionale në sektorin e industrisë. Këto shifra dëshmojnë se angazhimi i kohëve të fundit për parandalimin e kësaj plage italiane, nuk është i mjaftueshëm. Presidenti i Shoqatës ANMIL (Shoqata Kombëtare e Punonjësve të Gjymtuar dhe Invalidëve të Punës), Franco Bettoni vuri në dukje se “aksidenti në punë është një përvojë gjithsesi e dhimbshme që çdo vit prek gati 900.000 mijë vetë. Një përvojë mjekimesh, rimëkëmbjeje, vështirësish familjare dhe ekonomike, në pritje të një shpërblimi që në përgjithësi nuk është aq sa pritet dhe që duhet fituar shpesh pas shumë vështirësisht dhe mënyrash nga më të komplikuarat, megjithëse INAIL është angazhuar për lehtësimin e procedurave”.

Duke parë shifrat tabloja është rrëqethëse. 1.050 vdekjet janë më të pakta se ato të vitit të kaluar (1.120 në vitin 2008), por kjo shpjegohet me një tjetër dramë, atë të krizës ekonomike. Në fakt mbi rënien e rasteve të aksidenteve ndikon pakësimi i personave të punësuar (-1.6% sipas statistikave ISTAT) dhe ai i orëve të punuara realisht, gjithashtu edhe si rrjedhojë e shkurtimit të orëve të punuara jashtë orarit dhe e përhapjes së kompensimit për papunësinë (cassa integrazione). Vetëm pakësimi i vendeve të punës ka sjellë me vete një rënie prej 3% të rrezikut për punonjësit italianë.

Punonjësit e huaj
Gjatë vitit 2009 është vërejtur një rënie e fatkeqësive dhe e vdekjeve në punë: fatkeqësitë në punë kanë qenë 790 mijë, 9,7% më pak se një vit më parë (85 mijë raste më pak), ndërsa vdekjet e bardha kanë qenë 1.050, 6,5% më pak se në vitin 2008 (70 viktima më pak). Këto të dhëna, të paraqitura nga Instituti kombëtar kundër fatkeqësive në punë, Inail, varen padyshim edhe nga kriza ekonomike që ka ulur vëllimin e punës. Me fjalë të tjera punonjësit kanë punuar më pak e për rrjedhojë janë vrarë më pak.

Për të parën herë, gjatë vitit të shkuar është vërejtur edhe rënie e numrit të fatkeqësive në punë të punonjësve të huaj duke kaluar nga 143 mijë të vitit 2008 në 119 mijë gjatë vitit 2009, që do të thotë një “tkurrje” vjetore prej 17%. Kanë gjetur vdekjen në punë 150 të huaj, 39 vetë më pak se në vitin 2008 kur vdekjet e bardha ishin 189.

Rënia e numrit të aksidenteve është më e theksuar në industri, veçanërisht në sektorin e manifakturës ku prania e të huajve është më e madhe, por edhe ku kriza produktive dhe e punësimit ka qenë më e thellë. Fatkeqësisht shqiptarët mbeten ndër më të goditurit nga fatkeqësitë në punë: rumunë, marokenë e shqiptarë, në këtë renditje, janë komunitetet e huaja që së bashku totalizojnë 40% të rasteve të  fatkeqësive në punë. Madje 50% e viktimave të aksidenteve në punë është rumun, maroken ose shqiptar.

“Është herë e parë që në dhjetë vjetët e fundit – thotë presidenti i Inail-it, Marco Sartori – vërehet ulje e fatkeqësive në punë mes të huajve, gjithnjë e më të pranishëm në tregun italian të punës. Rënia ka ndodhur, pjesërisht, për shkak të reduktimit të vëllimit të punës që ka prekur të gjithë punonjësit e Italisë, për rrjedhojë edhe të huajt, por edhe falë përmirësimit të kushteve të tyre përsa u përket parandalimit dhe sigurisë në vendin e punës”.

Ndonjë element pozitiv është regjistruar lidhur me aksidentet vdekjeprurës për punonjësit e huaj, që kanë kaluar nga 189 në 150 gjatë vitit 2009. Rumunët, marokenët dhe shqiptarët janë komunitetet që çdo vit kanë numrin më të madh të aksidenteve, gjithsej 40%.

Nëse llogariten vetëm rastet e vdekjeve, ato i kapërcejnë të 50%:me fjalë të tjera çdo dy viktima të punës me origjinë të huaj, njëra i përket këtij komuniteti. Një tjetër kapitull i hidhur është ai i sëmundjeve profesionale. Viti 2009 ka qenë një vit rekord: 34.646 raste të paditura, shifra më e lartë e 15 vjetëve të fundit, me një rritje prej 15,7% në krahasim me vitin 2008 kur rastet ishin 30 mijë. Duke marrë në shqyrtim 5 vjetët e fundit rastet janë shtuar në masën 30%. Në sektorët e ndryshëm, e para radhitet bujqësia me dyfishimin e rasteve brenda një viti (nga 1.834 në 2008 në 3.914 në vitin 2009, +113,4%) dhe trefishuar gjatë pesë-vjeçarit të fundit.

Lexo edhe: Aksidentet në punë, në një ditë tre shqiptarë
Deklarimi i fatkeqësive në punë pranë INAIL-it

Rrjeti “Shqiptarët në Toskanë” fton shqiptarët në Koncert

Me kartën italiane të qëndrimit a mund të punoj në një vend tjetër të BE-së?