in

Zjarr në Roma Tiburtina. Trenat në kaos në mbarë Italinë

Zjarrfikësit vazhdojnë të punojnë për shuarjen e plotë  të zjarrit që në orën 4 të mëngjesit ka rënë në stacionin hekurudhor Roma Tiburtina, për arsye ende të paqarta. Stacioni është mbyllur dhe në të nuk lejohet të kalojë asnjë tren, duke krijuar probleme për të gjithë trafikun hekurudhor në Itali. Vonesa të trenave, edhe mbi katër orë , jo vetëm në stacionin kryesor të Romës, Termini, por edhe në stacione të tjera të rëndësishme si Milano, Bolonjë, Firence, Napoli.
Roma e paralizuar. Vetëm pasdreke hapet Tangenziale Est, e mbyllur që në mëngjes për shkak të tymit; e bllokuar linja B e metropolitanës.  Pasojat do të ndihen edhe ditët e ardhshme.

Romë, 24 korrik 2011 – Për arsye ende të paqarta, një zjarr i madh është përhapur  në orën 4 të mëngjesit në stacionin hekurudhor Tiburtina të Romës. Zjarrfikësit që kanë mundur të hyjnë në lokalet ku ka rënë zjarri vetëm rreth orës shtatë janë ende në punë. Flakët janë shuar thuajse plotësisht por tani punohet për ftohjen e ambientit dhe ndaljen e tymit. Problem kryesor tani është që strukturat e dëmtuara nga zjarri rrezikojnë të shemben.

Është kuptuar menjëherë që situata është shumë kritike, por akoma nuk kuptohen shkaqet e këtij zjarri. Sipas zjarrfikësve nuk janë gjetur shenjë të qarta për të folur për zjarr të vënë me qëllim, por sidoqoftë kjo mundësi nuk përjashtohet nga policia hekurudhore që ka nisur hetimin mbi këtë ngjarje.

Në fakt stacioni është i mbyllur dhe në të nuk lejohet kalimi i trenave. Duke qenë ai një nga nyjet kryesore të trafikut hekurudhor italian (kalojnë mesatarisht katër trena në orë), ka shkaktuar probleme të rënda në gjithë Italinë: jo vetëm në Termini, por edhe në Bolonjë, Milano, Firence, Napoli trenat po pësojnë vonesa me katër a më shumë orë. Ferrovie dello Stato, FS, në sitin e saj jep vazhdimisht situatën në kohë reale të trenave, duke treguar se cilët janë devijuar apo cilët nuk po qarkullojnë fare. FS këshillon të gjithë qytetarët të mos marrin trenin nëse udhëtimi parashikon kalimin nëpër stacionin Tiburtina.

E rëndë situata e trafikut në Romë. Për gjithë paraditen një nga rrugët më të rëndësishme të qarkullimit të shpejtë, Tangenziale Est, që lidh qendrën e Romës me periferinë lindore të qytetit, ka qenë e bllokuar për shkak të kolonës së tymit që e kishte mbuluar. Mbetet ende pjesërisht e bllokuar linjë B e metropolitanes që kalon edhe nëpër stacionin Tiburtina, pasi galeritë e saj ishin me tym.

Kryebashkiaku i Romës, Alemanno, është i shqetësuar për problemet që vazhdojnë të kenë bashkëqytetarët e tij. “Zjarri u shua – thotë ai – por tymi është ende tejet i dendur, dhe e kemi t ëvështirë të parashikojmë sa kohë do të duhet që ajri në zonën përreth të pastrohet. Shpresojmë që nesër në mëngjes të mund të happim linjën B të metropolitanes, sepse galeritë e saj nuk janë dëmtuar por thjesht janë me tym”. Ai u bën thirrje qytetarëve që banojnë në zonën pranë stacionit të mbajnë mbyllur dritaret, pasi tymi i ngritur mund të ketë pasoja negative për  shëndetin.

 

Giovanardi: “Me këto ritme, do të kemi më shumë imigrantë se italianë”

Me Alitalia-n duhet udhëtuar ‘lehtë’