in

ZMK: “T’u hiqet licenca trageteve që abuzojnë me udhëtarët shqiptarë”

Shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve i shkruan ministrit shqiptar të Transporteve, Sokol Olldashit, për t’i vënë në dukje abuzimet e linjave të trageteve dhe për t’i kërkuar të marrë masat e nevojshme qoftë edhe “t’u heqë licencën” kompanive.
Ke pasur përvojë të hidhur me linjat e trageteve? Rrëfeja Shqiptarit të Italisë në botashqiptare@stranieriinitalia.it

Shumë nga ata që këtë verë ka zgjedhur të shkojë në Shqipëri me traget, kanë përjetuar një udhëtim të lodhshëm e tejet të gjatë: vonesat disaorëshe, kabinat e papastra, dyndja e pasagjerëve si dhe radhët e gjata në imbarkim dhe zbarkim kanë lodhur udhëtarët që kanë paraqitur më pas ankesë pranë Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, ZMK.
Kjo e fundit sot i është drejtuar ministrit shqiptar të Transporteve dhe të Punëve Publike me një letër të hapur duke i kërkuar shprehimisht të marrë masa. Praktikisht ZMK shpreh shqetësimin e saj “për situatën e rëndë të krijuar nga linjat e trageteve të kompanive të transportit detar me përfaqësitë shqiptare “Did Shiping”, “Ilion Lines”, “Kad”, “Duni”, “Adria”, “San Nikolla”,”Europian Sejës” dhe “Rigel” të cilat kanë vënë në shërbim të udhëtarëve tragetet “Rigel”, “Apollonia”, “Jonis”, “Azzurra”, “Arbëria”, “Toscana””.

“Vetëm dje – shkruan në letër avokati Altin Goxhaj, Drejtor i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve – rreth 600 pasagjerë janë lënë në mëshirë të fatit nga një nga këto kompani në Bari megjithëse ata kishin prenotuar një udhëtim për në Ankona dhe kishin paguar bileta shumë të shtrenjta”.
Sipas ZMK-së, “është tashmë një praktikë e përhershme e kompanive detare të cilat abuzojnë në çdo formë dhe mundësi duke i trajtuar udhëtarët shqiptarë si konsumatorë të dorës së dytë”.
Një rast tjetër i sjellë në vëmendjen e ministrit është ai i datës 2 gusht 2010, kur “pasagjerët shqiptarë në Portin e Ankonës u përfshinë në një protestë e cila shkoi drejt një mini-revolte ndaj tragetit të linjës Ankona-Durrës dhe disa pasagjerë u shoqëruan në rajonin e policisë së Portit. Kjo sepse ata “u burgosën” brenda në traget prej mëse 48 orësh si pasojë e një avarie në Portin e Ankonës sepse personeli i kompanisë nuk i lejonte të zbrisnin pasi nuk pranonte t’u kthente paratë e biletave. Me dhjetëra pasagjerë u larguan pa marrë paratë sepse nuk mund të duronin më”.

Veç vonesave, ZMK tregon se edhe kushtet e udhëtimit në këto tragete janë jashtë standardeve: “Sipas dëshmive të dokumentuara “në kuzhinën e disa trageteve udhëtarët marrin vetëm sallatë e panine, ndërsa kanë shfaqur vërejtje shumë serioze lidhur me papastërtinë. Banjat nuk janë higjienike, shtretërit janë të parregulluar, dushet nuk funksionojnë, në dhomat e kushtueshme kondicionerët përgjithësisht nuk janënë gjendje pune dhe në vendqëndrimet e udhëtarëve ka shumë papastërti. Ndonëse nuk janë dhënë shumë hollësi thuhet se, ka tragete që e kanë ekuipazhin të paregjistruar, ndërsa dyshohet se në linjat drejt Portit të Durrësit lundrojnë edhe tragete që u ka përfunduar afati”.

Ndërkaq çmimi i biletave – vëren Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve – është rritur, madje më shumë se për linjat e tjera të Mesdheut. “Një biletë për qëndrim në këmbë në traget kushton deri në 70 euro, për automjetin paguhenn 80-100 euro, prenotimi për një shtrat të thjeshtë, 85 euro, shtrati klasit të parë kushton 100 euro dhe prenotimi i një dhome suitë ka arritur 115 euro e lart. Vetëm një vit më parë bileta në këmbë me traget kushtonte 38 euro dhe rritja e saj me 60% është cilësuar më së shumti spekulim nga të gjithë pasagjerët. Në biletën e prerë për asnjë rast nuk të afrohet në traget asnjë lloj shërbimi. Në rast se do të krahasosh me çmimet e biletave të avionëve me çmimet e biletave të trageteve, ka rrezik që në raste të caktuara çmimet detare të jenë më të larta se çmimet ajrore”.

Pasi parashtron këtë situatë të nderë, Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorëve i kërkon titullarit të Ministrisë së Transporteve dhe Punëve Publike që “të ngrihet një task-force e përkohshme që të ndërmarrë një mision mbikëqyrjeje urgjente në të gjitha linjat e trageteve, në sportelet e shitjes së biletave, dhe të intervistojë pasagjerët për kushtet e shërbimit duke përfshirë në grupin e punës edhe personel nga institucionet e tjera për të mbikëqyrur kushtet financiare, kushtet higjienike-sanitare, sigurinë ushqimore, kushtet e akomodimit, etj”. Duke i kujtuar ministrit Olldashi që marrja e masave është urgjente: “nuk ka kohë për të pritur dhe situata kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe mbi të gjitha është Ministria e Transporteve dhe Punëve Publike e cila mban përgjegjësi për të gjitha abuzimet që kanë kryer dhe kryejnë me konsumatorët kompanitë e transportit detar ndaj dhe reagimi Juaj është detyrim i Juaj ligjor”.

Ke pasur përvojë të hidhur me linjat e trageteve? Rrëfeje në “Shqiptari i Italisë”

Lexo edhe:  Peripecitë e një udhëtimi me traget

Duhet të mbërrija në Ancona, por më lanë në Bari

Pensioni i pjesshëm i pleqërisë në Shqipëri

Orikum: porti i jahteve, ku valëviten flamurë nga e gjithë bota