Një ndihmë për nënat e reja, edhe të huaja, në marrëdhënie pune që heqin dorë nga leja për fëmijën e kërkojnë të përfitojnë nga shërbimet me pagesë për të miturit. Ka nisur paraqitja e kërkesave
Romë, 18 dhjetor 2014 – Nënat e reja që dëshirojnë (apo janë të detyruara) të kthehen mejëherë në punë pas lindjes, këtej e tutje kanë një ndihmë të re: deri 600 euro në muaj për maksimumi gjashtë muaj të dhëna nga Shteti për të mbuluar shpenzimet për çerdhe apo edhe babysitter që do të përkujdesen për bebin. Por kushti i domosdoshëm për përfitimin e kësaj shumë është heqja dorë, po për aq muaj, nga ajo që italisht quhet “congedo parentale”, periudha e mosvajtjes me dëshinë në punë që u njihet punonjëseve pas përfundimit të periudhës së detyrueshme të të lejes pas lindjes së foshnjës. Këtë gjë parashikojnë “Kontributet për blerjen e shërbimeve për të miturit”.
Kush mund t’i kërkojë? Punonjëset italiane apo të huaja të sektorit shtetëror e privat (përjashtohen bashkëpunëtoret shtëpiake) dhe, maksimumi për tre muaj, të gjitha punonjëset me kontratë bashkëpunimi me projekt apo profesionistet e regjistruara në “administrimin e ndarë” INPS. Në çastin e paraqitjes së kërkesës ama duhet të kenë përfunduar lejen e detyrueshme të lindjes prej jo më shumë se 11 muajve. Pranohen edhe të gjitha punonjëset me kontratë part-time, por kontributi për to do të jetë në përpjestim me orët e punës. Nëse një grua punon me kontratë 50%, çeku që i takon është vetëm 300 euro.
Pasi pranohet kërkesa, dhënia e kontributit ndryshon sipas titpit të shërbimit që duhet paguar. çerdhet shtetërore dhe private të konvencionuara do të marrin kontributin drejtpërdrejt nga Shteti, ndërsa pjesën që mbet të tarifës nga prindërit. për të paguar Babysitter, që natyrisht duhet të jetë e punësuar em kontratë, do të jenë mamatë që do të tërheqin nga INPS “bonus pune” me vlerën e kontributit.
Paraqitja e kërkesave ka nisur më 16 dhjetor e do të vazhdojë deri më 31 dhjetor 2015, por kush përmbush kriteret bën mirë të mos presë: kontributi do të jepet sipas një rendi kronologjik të paraqitjes së kërkesave, deri në përfundimin e fondeve në dispozicion. Gjithçka mund të bëhet personalisht në faqet internet të institutit të sigurimeve shoqërore (www.inps.it → Servizi per il cittadino → Autenticazione con PIN → Invio domande di prestazioni a sostegno del reddito → Invio delle domande per l’assegnazione dei contributi per l’acquisto dei servizi per l’infanzia) ose me ndihmën e patronateve.
Këtu gjeni udhëzimet më të detajuara (në italisht)